E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ja të ardhurat që ranë nga kriza

 

Të ardhurat nga TVSH-ja, akcizat dhe Pushteti Vendor janë tkurrur. “Të ardhurat buxhetore gjatë gjysmës së parë të vitit janë realizuar me rreth 144.8 miliardë lekë, duke përmbushur planin me 93 për qind. Në raport ndaj PBB-së, të ardhurat e 6-mujorit të parë të vitit 2009, vlerësohen rreth 28.5 për qind, kundrejt 28 për qind të një viti më parë. Në terma vjetorë, të ardhurat buxhetore shënojnë rritje me rreth 7.2 për qind, por në krahasim me vitet e mëparshme ritmi i rritjes së tyre ka ardhur në rënie. Zërat që kanë peshën më të madhe në diferencën e krijuar me planin janë të ardhurat nga TVSH-ja, akcizat dhe pushteti vendor”, thuhet në raportin e BSH-së të politikës monetare, për 6-mujorin e parë të vitit. Sipas BSH-së, ndonëse norma e tatimit mbi vlerën e shtuar është mbajtur e njëjtë me vitet paraardhëse, të ardhurat e akumuluara nga ky zë gjatë gjysmës së parë të këtij viti, kanë regjistruar një ngadalësim të ndjeshëm në ritmin e rritjes. Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin, sikurse dhe në dy vitet paraardhëse, kanë shënuar ritme negative rritjeje gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit. Niveli i planifikuar për këtë periudhë kohore është realizuar në masën 86 për qind. Të ardhurat nga akcizat, ndryshe nga vitet e mëparshme kanë shënuar ritme negative rritjeje. Kjo tkurrje në terma vjetorë e të ardhurave nga akcizat, i dedikohet kryesisht rënies së importeve të mallrave, të cilët janë subjekt i akcizës. Të ardhurat nga pushteti vendor, ndonëse kanë shënuar ritëm të lartë rritjeje vjetore, rezultojnë nën planin e hartuar për këtë periudhë me rreth 2.7 miliardë lekë (28%). “Gjashtëmujori i parë i vitit, është karakterizuar për-gjithësisht nga një rritje e shpenzimeve në ritme më të larta sesa të ardhurat e për pasojë, deficiti buxhetor është rritur ndjeshëm. Në vlerë nominale deficiti buxhetor ka shënuar një nivel prej 31.6 miliardë lekësh, vlerësuar në rreth 6.2 për qind të PBB-së; kundrejt 0.5 për qind në të njëjtën periudhë të një viti më parë”, thuhet në raport.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›