E Shtunë, 31 Tetor 2026

Groshruk: Shqipëria ka akoma shumë për të bërë

Zëvendespresidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Volfang Groshruk, në rolin edhe të koordinatorit special të vëzhguesve afatshkurtër të kësaj organizate gjatë rezymesë së situatës zgjedhore dhe asaj politike në Shqipëri, foli për një progres të prekshëm, por sipas tij ka dhe mjaft gjëra për t'u bërë. Ndërsa theksoi se Shqipëria ka fituar pjekuri dhe shumë prej frikërave që vëzhguesit ndërkombëtarë kanë patur disa muaj më parë, nuk janë konkretizuar. Groshruk u shpreh se dita e zgjedhjeve ishte përgjithësisht e qetë dhe paqësore pa ndonjë incident madhor. Groshruk u shpreh se në përgjithësi vëzhguesit ndërkombëtarë të OSBE-ODHIR, e kanë vlerësuan pozitivisht procesin e votimit në shumicën e qendrave zgjedhore ku ata kanë shkuar. Por megjithatë, sipas tij, në këtë proces ka patur edhe shumë të meta, siç kanë qenë rastet me bojën e sigurisë, votimin familjar në kuti, apo me hapjen me vonesë të disa qendrave të votimit gjatë ditës së diel. Ndërsa ai tërhoqi vëmendjen për presionin e vazhdueshëm që ju është bërë njerëzve për të marrë pjesë në votime. Ai e cilësoi këtë si një akt të shkeljes së të drejtave të njeriut ku sipas tij kjo mund të ketë ndikuar edhe në ditën e zgjedhjeve, megjithëse e cilësoi se vetëm një përqindje e vogël e këtyre votuesve mund të kenë votuar për nja forcë tjetër politike dhe jo për atë që ka menduar për të votuar. Gjithashtu Groshruk ju kërkoi politikanëve shqiptarë që të punojnë sa më shumë dhe sa më ndershmërisht për të përmirësuar jetën ekonomike dhe atë politike të shqiptarëve. Sipas tij nuk ka rëndësi se cila forcë politike do të dalë fituese nga këto zgjedhje që u zhvilluan në Shqipëri, por e rëndësishme është që cilado forcë politike që do të qeverisë vendin në katër vitet e ardhshme duhet që të plotësojë standardet që Shqipëria të ecë përpara në rrugën e nisur për tu bashkuar me familjen e madhe evropiane. Ndërsa theksoi se një problem tjetër gjatë numërimit të votave ka qenë dhe vonesa me të cilën po numërohen këto kuti votimesh, ai e cilësoi të pamundur që të gjitha KZAZ të numërojnë në afatin kohor që është vendosur nga KQZ, ku votat numërimi i votave duhet të kishte përfunduar në orën 19 të ditës së hënë. Sipas tij numërimi i votave në disa qendra të vendit mund të vazhdojnë deri ditën e enjte, ndërkohë që ju bëri thirrje forcave politike që të mos ndërhyjnë në qendrat e numërimit të votave, port ë lejojnë që ky proces të vazhdojë normalisht që këto qendra ta japin sa më shpejt verdiktin e popullit shqiptar. Në përfundim të fjalës së tij Groshruk theksoi se vëzhguesit ndërkombëtarë do ta ndjekin deri në përfundim të plotë procesin e numërimit të votave në të gjitha qendrat e vendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›