E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE: Askush nuk duhet të ketë pikëpyetje për paanshëmrinë e misionit

OSBE-ODHIR: Shqipëria ka bërë progres të dukshëm
Ekipi vëzhgues i OSBE-ODHIR-it  prezantoi në Tiranë raportin e parë paraprak për zhvillimin e zgjedhjeve. Sipas tyre zgjedhjet e 28 qershorit ishin në përgjithësi të qeta dhe të rregullta, por ata kanë evidentuar dhe një sërë parregullsish. Në emër të të gjithë vëzhguesve të OSBE-ODHIR-it nga rreth 450 vëzhgues të huaj të cilët kanë qenë në terren gjatë ditë ditës së votimeve dhe gjatë numërimit të votave në KZAZ. Odri Glover drejtuesja e misionit të OSBE-ODHIR, në zgjedhjet në Shqipëri bëri një rezyme të gjithë situatës në vend, ku vlerësoi konsensusin ndërmjet partive politike. Ambasadorja Glover, theksoi se kodi i ri elektoral i miratuar me konsensusin e të dyja partive kryesore, PD e PS, ka prezantuar një sërë përmirësimesh e garancish të rëndësishme edhe për zgjedhjet e tjera që do të pasojnë në vitet e ardhshme, veçanërisht përsa i përket regjistrimit dhe identifikimit të zgjedhësve. Ambasadorja Glover theksoi se ishte për të ardhur keq që niveli i lartë i mosbesimit mes palëve, dhe përdorimi i aktiviteteve zyrtare për qëllime fushate dhe akuzat për presion mbi zgjedhësit nuk rritën besimin e publikut në procesin, dhe deklaroi se vëzhguesit ndërkombëtarë do të vazhdojnë të ndjekin hap pas hapi procesin e numërimit të votave. "Vëzhguesit do vazhdojnë të ndjekin procesin e numërimit të votave. Vendimi përfundimtar për zgjedhje do varet nga administrimi i këtyre fazave, pra numërimi dalja e rezultateve dhe ankesa për to", deklaroi Glover. Ndërsa deklaroi se raporti përfundimtar për zgjedhje do bëhet publik vetëm pas 8-javësh, dhe theksoi se misioni i OSBE-ODIHR në Shqipëri është i paanshëm. "Askush nuk duhet të ketë pikëpyetje për paanshmërinë e misionit", tha Glover. Ndër të tjera, shefja e misionit të ODIHR-it u tregua e kujdesshme, duke thënë se një peshë të madhe në vlerësimin përfundimtar të zgjedhjeve do ta ketë edhe faza që ka mbetur, pra administrimi i procesit te numërimit të votave. KQZ i administroi detyrat me profesionalizëm dhe brenda afateve ligjore, por anëtarët ishin të ndarë në disa nga çështjet e debatueshme dhe votuan sipas bindjeve politike. Kishte shkëputje mes punës së KQZ-së në Tiranë dhe asaj çfarë ndodhi në qarqe. Për më tepër partitë politike nuk emëruan brenda afateve ligjore komisionerët, deklaroi Glover. Ndërsa diplomatja ndërkombëtare nuk kurseu kritikat as për mediat, duke nënvizuar se transmetuesit mediatike ishin të njëanshëm në pasqyrimin e aktiviteteve të partive kryesore, duke u lënë shumë pak hapësira partive të vogla. Gjithashtu ambasadorja e ODHIR Glover hodhi poshtë çdo hije dyshimi për anësinë e këtij misioni në vendin tonë. Unë dhe ekipi im që kur kemi ardhur në Shqipëri, kemi thënë që kemi ardhur pa një axhende të mëparshme dhe jemi këtu pa ide të marra me përpara dhe te paanshëm. Ne kemi funksionuar në një mënyrë të paanshme si të gjitha misionet e ODIHR-it, përfundoi Glover. Ndërsa drejtuesja e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Korien Jonker, shprehu besimin se populli shqiptar ka potencialin e plote të ndërtojë një shoqëri demokratike si ajo evropiane, duke shtuar se pjesëmarrja e grave në politikën shqiptare është akoma shumë e ulët dhe kërkoi që në vazhdim pjesëmarrja e tyre në politikë duhet të jetë më e madhe jo vetëm në politikë por edhe në vendim marrje. Ndërsa deklaroi se mediat shqiptare nuk e kanë qenë transparente në këtë fushatë zgjedhore pasi kanë pasqyruar gjatë gjithë kohës fushatën e dy partive të mëdha dhe u kanë lënë shumë pak hapësira partive të vogla. Sipas saj mediat duhet të jenë të lira dhe të pavarura dhe nuk duhet të jenë kurrsesi vegla të partive politike, por duhet të raportojnë në mënyrë të paanshme çdo ngjarje politike, me qëllim që publiku dhe votuesi të jenë të mirinformuar mbi gjendjen në Shqipëri. Zyrtarja evropiane theksoi se monitorimi për Shqipërinë do të vazhdojë për të qenë pranë shoqërisë së këtij vendi që të përmbushë sa më parë potencialin e vet demokratik.
Last Updated on Monday, 29 June 2009 23:22

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›