Fier, Bastioni i PS fiton 9 mandate të sigurta
Numërimi i votave në Qarkun e Fierit ka ecur me ritme normale. Përgjatë orëve të para të mëngjesit të së hënës, rreth orës 03:00 startoi procesi i numërimit në të trija KZAZ-të e Fierit si dhe në atë të Mallakastrës, ndërsa në tre KZAZ-të e Lushnjes ky proces nisi rreth orës 02:30. Edhe pse gjithçka që është sjellë dhe dorëzuar nga qendrat e votimit është marrë në dorëzim nga KZAZ-të, sërish ajo që duhet theksuar është se procesi i numërimit po ecën me ritme tepër të ngadalta.
Megjithëse në ndihmë të këtij procesi janë vënë numërues të trajnuar dhe ekspertë në këtë fushë, sërish kjo pjesë e zgjedhjeve lë për të dëshiruar. Kjo ka ardhur edhe për shkak se të gjithë komisionerët e numërimit kanë prej dy ditësh që qëndrojnë pa gjumë pranë ambienteve të numërimit. Numëruesit e votave kanë deklaruar se ka ende shumë punë për të bërë në procesin e numërimit, gjë që tregon se edhe sot ky proces nuk do të mbyllet. Deri në orën 17:00 të ditës së djeshme, në të 7 KZAZ-të e qarkut të Fierit u numëruan 130 kuti votimi të 130 qendrave të votimit nga 488 që janë gjithsej në të gjithë qarkun. Po kështu deri në orën 17:00 rezulton që Partia Socialiste të jetë në avantazh me rezultat fitoreje prej 47.77% ndërsa partia demokratike me një përqindje që arrin në 32.5. Ajo që bie në sy është që edhe përgjatë gjithë ditës së djeshme në të gjitha komisionet zonale të administrimit zgjedhor kanë vijuar të kqyren nga vëzhguesit e OSBE/ODHIR, nga OJQ si dhe përfaqësuesit e partive politike. Në këto ambiente kanë qenë të pranishme edhe efektivat blu.