E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e Kristinës, frikë dhe inat te tranvestitët

Vrasja e "Kristinës", tranvestiti i cili u qëllua për vdekje me thikë nga një kosovar, ka irrituar jashtë mase këtë komunitet. Me këtë inat, ata duan të mbrojnë veten nga frika se mos ndonjë tjetër prej tyre bie viktimë. Kjo i detyron ata të bëjnë lloj- lloj shfaqjesh edhe me prezencën e policisë, pasi kur uniformat blu largohen, ata frikësohen më shumë se kur janë aty. "Nëse na kap policia, na çojnë në burg, të paktën aty nuk na vret njeri. Por, në rrugë mund të na vrasin, shteti nuk na mbron, veç na sulmon, presim nga Berisha, ku sipas lajmeve do liberalizojë edhe marrëdhëniet seksuale të llojit tonë". Kështu shprehen ata (ose ato, siç u pëlqen atyre t‘i quajnë) në momentin që takohesh me ta, teksa qëndrojnë në lulishten përbri stacionit të autobusit, mes "Sahatit" dhe Bibliotekës Kombëtare.
Që kur u del gjumi, në orët e para të mëngjesit, ata ulen në stolat e lulishtes, e pa kaluar shumë kohë, fillojnë e zihen me kalimtarët. Dikush i shikon shtrembër, dikush tjetër i shan, dikush thjesht qesh me ironi. "Nuk e kuptoj, pse duhet të na gjykojnë ne. Pse nuk na lënë të jetojmë jetën tonë, sipas mënyrës sonë. Pasi edhe mënyra e jetesës së të tjerëve, është qesharake për ne. Por, këtë nuk e vëmë në dukje", tregon "Anxhela", një prej komunitetit të tranvestitëve. E pa mbaruar mirë, ia pret shoku (shoqja e saj). Paloma tregon se nuk kanë shtëpi ku të jetojnë, prandaj dalin në rrugë. E kështu, nën shfryrjet e dufit për inatet me njerëzit, kalimtarët e thjeshtë, ato tregojnë se këtë vend, meqë është edhe si pikë kalimi për shumë persona, e shfrytëzojnë edhe për të lypur. Ata tregojnë se fitojnë pak para për t‘u ushqyer. Madje, edhe prostitucionin e ushtrojnë për të njëjtin hall që kanë. Gjithashtu, gjatë pjesës së paradites, duke qenë se u mungojnë mjetet e tualetit, mundohen të rregullojnë njëri-tjetrin. Kështu veprojnë edhe dy prej tyre në momentin, që janë duke rrëfyer disa copëza nga jeta e tyre e përditshme.
Në atë moment, pranë u afrohet edhe një përdorues droge. Ai i përshëndet dhe i puth me radhë të gjithë. Më pas u kërkon ndihmë. Ka nevojë për pak para për të blerë "mall". Nuk tregon se çfarë lloj droge konsumon, por mbetet edhe duarbosh, pasi tranvestitët nuk kanë para me vete dhe nuk kanë me çfarë ta ndihmojnë. Madje, e akuzojnë se i kishin dhënë dy herë të tjera dhe ai nuk po mundohej fare të gjente ndonjë rrugëzgjidhje për të sjellë paratë. Aty fillojnë e zihen me njëri-tjetrin, por më pas përdoruesi i drogës largohet dhe ata qetësohen sërish.
Duke kaluar në etapa të tjera të bisedës, tranvestitët rrëfejnë se në këtë kënd lulishteje qëndrojnë deri pasdite. "Kur fillon të errësohet, ne dalim për të kërkuar klientë. Vendi ynë i përshtatshëm për të kryer marrëdhënie homoseksuale është ish-hotel "Drini", pasi ka shumë errësirë, ose parku pas Pallatit të Kulturës. Pavarësisht se gropa u mbyll dhe u bë lulishte, prapë kanë mbetur dy zgavra të vogla që i shfrytëzojmë për qejf ose për punë. Nuk kemi ç‘të bëjmë, duam të jetojmë", përsërisin ata herë pas here, duke shprehur dëshirën që t‘i dëgjojnë të gjithë e mos t‘i paragjykojnë.
Por tashmë ata kanë një frikë të madhe. Pas vrasjes së "Kristinës", ata shkojnë vetëm me klientë të besueshëm. Kur u vjen dikush i panjohur, irritohen, fillojnë ta godasin me gurë dhe largohen me vrap. Por, këtu lind edhe shqetësimi i tjetër për ta, pasi policia i shoqëron për prishje të rendit dhe qetësisë publike. Madje, pak ditë pas vrasjes së tranvestitit të njohur me emrin "Kristina", një tjetër anëtar i komunitetit të tyre ka rënë pre e fyerjeve dhe kërcënimeve. Ndaj tij nuk ka munguar as dhuna fizike. Por, ka arritur të shmanget. Për këtë problem nuk ka denoncuar në polici, se mendon se policia do ta paragjykojë dhe nuk do ta besojë. Për këtë, ata vazhdojnë të jetojnë me frikë. E frika, akoma nuk është larguar, pasi vetëm pak ditë më parë, anëtarët e Shoqatës së Homoseksualëve kanë zhvilluar një ceremoni mortore në ambientet e godinës së shoqatës, që ndodhet në afërsi të stadiumit "Dinamo" në Tiranë. Në momentin kur kortezhi mortor është nisur për të përcjellë në banesën e fundit "Kristinën", Petrit Muçën, i cili mbeti i vrarë të shtunën e shkuar, tranvestitët pretendojnë se janë përballur me fyerjen e kalimtarëve.
Veç problemeve të tyre, ata janë kthyer në një shqetësim edhe për komunitetin e zonës. Banorët e zonës prapa Pallatit të Kulturës, që njihet si vendi ku qëndrojnë tranvestitët, bashkë me prostitutat, tregojnë se ata nuk durohen më. E njëjta vlen edhe për kalimtarët e rastit. Në jo pak raste, si banorët, ashtu edhe kalimtarët janë përleshur me kontingjentin e tranvestitëve, përdoruesve të drogës, por edhe prostitutave. Një nga banorët e zonës tregon se çdo natë janë të detyruar të njoftojnë policinë, pasi shqetësohen seriozisht nga epshet seksuale të tyre. "Sa vjen policia, ata largohen, por brenda 30 minutash kthehen sërish, duke vazhduar me jetën e tyre pa norma e pa kulturë", rrëfen Sanija, një e moshuar, e cila po zbret nga pallati ku jeton. E kushdo që kalon në qendër të Tiranës, ku ndërthuren gjithë rrugët e mundshme, mund të përjetojë frikën apo edhe inatin që ka, duke u përballur me këtë komunitet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›