E Shtunë, 31 Tetor 2026

Clapper falënderon Berishën për angazhimin e Shqipërisë në Irak

Kryeministri Berisha në një takim që ka zhvilluar me nënsekretarin e Mbrojtjes së SHBA James Clapper duke folur për situatën si dhe bashkëpunimin midis dy vendeve në Afganistan, njoftoi Clapper mbi vendimin që ka marrë qeveria shqiptare për dërgimin së shpejti në Afganistan edhe të një kompanie ushtarake, 20 mjekëve dhe infermierëve, si dhe financimin e ndërtimit të disa shkollave. Kryeministri po ashtu shprehu gatishmërinë e qeverisë për të pranuar studentë afganë në universitetet shqiptare. Më tej, kryeministri Berisha e njohur nënsekretarin Clapper me përgatitjet që po bën qeveria për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, duke përmendur dixhitalizimin e regjistrit të gjendjes civile, dixhitalizimin e listave të votuesve, pasaportat biometrike dhe letërnjoftimet elektronike. Nga ana e tij, nënsekretari Clapper uroi kryeministrin Berisha me rastin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe solli falënderimet e Sekretarit Gates për angazhimin e Shqipërisë në Irak dhe Afganistan. Ai po ashtu theksoi se SHBA-të po e ndjekin me vëmendje procesin zgjedhor në Shqipëri dhe shprehu bindjen se ato do të jenë të lira dhe të ndershme. Më tej, të dy bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime mbi situatën në rajon dhe veçanërisht në Kosovë, ku u vërejt suksesi i madh që ka bërë Kosova pas pavarësisë, sidomos në fushën e sigurisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›