E Diel, 1 Nëntor 2026

Grosruk me ministrin Nishani: “Punë e shkëlqyer për infrastrukturën zgjedhore”



Shefi i misionit afatshkurtër dhe njëherësh zëvendëspresidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, është takuar dje me ministrin e Brendshëm, zotin Bujar Nishani, ku është njohur me prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe listat zgjedhore. “Koordinatori special i OSBE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, z. Volfgang Grosruk, u shpreh se nuk ka asnjë dyshim se për përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore është bërë një punë e shkëlqyer dhe profesionale dhe sugjeroi nga ana tjetër që të shfrytëzohen të gjitha mundësitë ligjore për të forcuar klimën e besimit mes forcave politike për organizimin e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe duke përmbushur standardet ndërkombëtare”, - thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Brendshme. Ky konstatim bëhet në ndryshim nga qëndrimi i ODIHR-it, i cili ka dhënë alarmin sidomos për shpërndarjen e kartave të identitetit. Ministri Nishani u shpreh se “deri tani (dje, - shën. red.) kanë aplikuar rreth 1.3 milionë shtetas dhe mbi 800 mijë prej tyre i kanë tërhequr letërnjoftimet elektronike”. Më 14 qershor mbyllet procesi i aplikimeve për kartat, pasi nuk ka më kohë për prodhimin e tyre deri më datën 28 qershor.

10 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›