Berisha në Rrëshen: “Do ta ul 5 vjet moshën e pensioneve të minatorëve”
Kryetari i PD-së, Sali Berisha, premton në Mirditë se gjatë mandatit të dytë qeverisës do të ulë me 5 vjet pensionin e minatorëve. Gjatë mitingut të zhvilluar në Rrëshen Berisha siguroi se 4 vitet që vijnë janë vendimtare për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në BE. “Katër vitet që vijnë do të rrisim rrogat e pensionet tuaja, duke lënë mbrapa jo dy vende të BE-së, por 6 vende të BE-së”, - deklaroi Berisha. Lideri i PD-së garantoi se mandati i dytë ka në fokus të tij shërbimet e qytetarëve shqiptarë, shërbimet më të mira për qytetarët shqiptarë, ato në shëndetësi, në arsim dhe në të gjitha shërbimet e tjera njëlloj si qytetarët e vendeve anëtare të BE-së. Kryeministri i vendit u bëri thirrje sërish dje shqiptarëve që të pajisen me kartat e identitetit, ndërsa ftoi kryetarin e PS-së Edi Rama që të futet në garë duke u dhënë edhe dy ditë kohë me qëllim që të tregohet burrë dhe të përballet në fushën e betejës elektorale. “Unë kam besim tek ju se këtë radhë do t’i jepni ju ndëshkimin e merituar armikut të rrugës. Armiku i rrugës është armiku juaj, armiku i qenies shqiptare. Nuk keni punë asnjë votë ndaj tij. Më duhet ta ftoj edhe një herë: zoti Rama, edhe dy ditë afat ke, dy ditë për t’u bërë burrë, por druaj se ti nuk mund të bëhesh kurrë. Druaj. Vendos të ndryshoj ligjin, ta vësh veten në krye të listës së partisë tënde. E bëj këtë në respekt të socialistëve, të cilët nuk do të pranonin kurrë një skenë të shëmtuar të tillë, të shohin kryetarin e tyre që futet ndën tavolinën e lejeve të ndërtimit”, - deklaroi Sali Berisha gjatë mitingut të Rrëshen.
10 Qershor 2009