E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gruaja dhe komunizmi

Nga poezitë që u krijuan nga një frymë komuniste, Wislawa Szymborska do të linte sistemet politike, duke depërtuar brenda njeriut. Trishtimi do ta çonte polaken që mbante flokët gjithnjë shkurt drejt përshkrimit të ndjenjave më të thella njerëzore, duke e kthyer në një nga personazhet më të njohur në letërsinë polake. Wilslawa e dinte se qenia njerëzore do të ishte ishulli ku gjithmonë do të depërtojnë poetët. Por ajo duhet të depërtonte në mënyrën e saj, të tregonte ato gjëra të thjeshta që ndodhnin me jetën e kësaj gruaje që jetoi luftën, komunizmin dhe shumë vonë mundi të jetonte lirinë. "Ndoshta poezia ime është një udhëtim i pafund për të gjetur lirinë. Sado që e prekja atë në mendje, liria është një nocion të cilin ti e kërkon vazhdimisht brenda teje", shprehet ajo. Janë të ndjera vargjet e saj për gruan, për mënyrën sesi e sheh këtë krijesë të butë, krejt ndryshe nga rrëfimet që burrat bëjnë për to. "Në fillim, më pëlqente të lexoja sesi burrat e komentonin letërsinë time. Kjo pasi njerëzit janë mësuar të komentojnë letërsinë e burrave, ndërsa letërsia e bërë nga një grua, shumë kohë më parë nuk shihej me sy të mirë". Wislawa Szymborska lindi në Bnin, pjesë e Kornick në Poloni. Në vitin 1931, familja e saj udhëtoi drejt Krakow. Ata jetuan aty për vite të tëra. Në kujtimet e saj Wislawa tregon se nga dritarja e vogël e kuzhinës ajo mahnitej gjithnjë nga natyra që shfaqej para saj. Që e vogël asaj i pëlqente të analizonte detaje, qoftë dhe një re që shihej në atë copë qiell që shihej përtej asaj dritareje. Në moshën 9- vjeçare ajo aktivizohet në një grup teatror dhe vetëm disa vite më vonë, arti i teatrit do ta shtynte atë të kishte interes dhe për kinemanë. Kjo është një periudhë interesante në jetën e Szymborska, kur vetëm një fëmijë përpiqej të kuptonte gjuhën e artit. Gjatë Luftës së Dytë Botërore kur gjermanët pushtuan Poloninë, mamaja e saj refuzoi ta linte Krakow. Ky do të ishte një moment i trishtë në jetën e Wislawa, e cila do të ngrihej kundër këtij pushtimi. Pas Luftës së Dytë Botërore, ajo nis studimet për letërsi dhe sociologji në Universitetin e Krakow. Nga viti 1953 deri në 1981, ajo punoi në një revistë letrare si redaktore dhe analiste. Kjo është periudha kur Szymborska nis të botojë në shtyp dhe poezitë e para. Dhe në vitin 1948, ajo boton përmbledhjen e parë poetike. Por poezitë e saj të para ishin një reflektim i situatës politike që po kalonte vendi dhe zëri që ajo përcillte në to ishte rebel, duke kërkuar ndryshimin. Ashtu si të gjithë artistët polakë dhe Szymborska nuk mundi që të qëndronte indiferente ndaj komunizmit. "Unë shikoja terrorin që vazhdonte dhe mendoja kur do të jetë terrori tjetër", thotë ajo diku në kujtimet e saj. Por pas poezive, ku në qendër ishte ndrydhja e sistemit politik, dhe reagimi i Szymborska ndaj kësaj situate, vjen një tjetër moment i rëndësishëm në jetën e saj. Szymborska thotë se kuptoi se poezia nuk mund të ishte vazhdimisht një rrëfim për komunizmin, por një mënyrë për të depërtuar te kjo gjendje nëpërmjet ndjenjave të saj. Jeta e një gruaje përtej marrëdhënieve të saj me sistemin ka dhe ndjesi të tjera, hyrjen e një burri në jetën e saj, apo qoftë dëshirën për të qenë gjithnjë e adhuruar. Dhe gruaja, që pavarësisht viteve shfaqet aq e butë në fytyrë, tregonte kohë më parë se kishte bërë një kompromis me trishtimin, për të shkruar. Një grua që shkruan sipas saj, nuk mund të jetë kurrë e lumtur. Lumturia për të është vetëm një çast çlirimi, por momente të tilla kanë ndodhur aq pak. Por momentet e tjera që mbushën jetën e saj kanë qenë sfida për të treguar se një grua, pavarësisht mënyrës sesi është parë ndër vite, mund t‘ia dalë. Gjë që e konfirmoi dhe mbrëmja e vitit 1996, kur poetja polake u vlerësua me çmimin "Nobel" në letërsi.

Por çfarë ndryshoi ky çmim në jetën e saj? Në moshën 73- vjeçare, tashmë Szymborska e pa këtë çmim si një vlerësim, që do ta kishte jetuar ndryshe nëse do të kishte qenë të paktën 15 vjet më e re. "Nëse do të isha 15 vjet më e re do ta kisha jetuar ndryshe këtë moment. Atëherë brenda meje ekzistonte ende pasioni për të udhëtuar. Për të takuar dikë, që bashkë me mua, do të donte të jetonte qoftë në një shtëpi të vjetër diku në Evropë. Por tashmë nuk mund të udhëtoj, përveçse të ndjehem e qetë se poezia ime ka qenë e vërtetë dhe se gjithçka që kam mbartur në trup, për hir të saj, ia ka vlejtur", do të shprehej Szymborska. Wislawa është martuar dy herë. Që nga viti 1990, ajo ka lënë jetën plot udhëtime dhe është kthyer në Krakow, aty ku bashkë me familjen u vendos kur ishte ende fëmijë. Wislawa i pëlqen që të bëjë një jetë private. Të njëjtën gjë ua tha dhe gazetarëve, atëherë kur ata kërkonin të dinin diçka më shumë për këtë grua që mundi të renditej në listën e shkrimtarëve që kanë marrë çmimin "Nobel". Pak gjëra dihen edhe për dy ish-bashkëshortët e saj, përveç deklaratave të shkurtra të dhëna nga Wislawa se "i ka dashur". "Jam një person gjithnjë në kërkim të dashurisë. Sa herë që mendoj se e kam gjetur, kuptoj se e kam humbur atë. Ndoshta jam një njeri që nuk mund të jetoj dot pa drama dhe i krijoj ato sapo gjërat të shkojnë mirë". Pavarësisht këtyre thënieve, poezitë e saj tregojnë se ajo është një grua që di të ndjejë dhe të japë mendimet e duhura për çdo gjë që mbush jetën tonë. Ndoshta ashtu si Wislawa, thotë nuk ka shumë rëndësi jeta e saj. Atë mund ta kuptosh ndërsa shfleton poezitë e pafundme që ajo nisi t‘i shkruante që kur ishte vetëm 10 vjeç. Një poezi flet më shumë se gjithçka. Dhe Wislawa e beson këtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›