E Shtunë, 31 Tetor 2026

Big Mama: "Top Fest" si MTV

Një mori artistësh e performancash kanë elektrizuar edhe këtë javë skenën më të gjallë të muzikës shqiptare, atë që tashmë prej javësh jehon nga ritme ekzaltuese. Nuk mund të mos e vlerësosh misionin ambicioz që mori jetë 5 vite më parë, me të vetmin qëllim për t‘u dhuruar artistëve shqiptarë atë që gjithmonë u kishte munguar, një plate bashkëkohore, zëdhënëse e denjë e një krijimtarie cilësore, që promovon në vazhdimësi atë lloj muzike që deri pak kohë më parë ishte thuajse jetime. Tashmë artistët nuk kanë pse lakmojnë skenat botërore. Me "Top Fest" lindi përkrahësi më i madh i muzikës moderne, ai i cili me prurjet, numrin e madh të artistëve apo këngëve që përcjell çdo ditë, po luan një rol thelbësor në zhvillimin e muzikës në vend.

Deri më tani, në edicionin e pestë të "Top Fest" kanë kënduar mbi 130 artistë, ndër të cilët personazhe të afirmuar të skenës apo artistë të rinj. Edhe java e gjashtë solli një meny të pasur rrymash muzikore, që ofronte gjithçka: rok, hip-hop, balada, dance, etj.

Dita e parë e javës u çel nga 10 këngëtarë, mes të cilëve edhe emra mjaft familjarë të këtij evenimenti. Kush e harron këngëtaren trupmadhe nga Kosova, Big Mamma, që me performancat e saj interesante e plot ngjyra u bë një imazh i pandashëm i "Top Fest". Historia e saj në këtë eveniment nisi në edicionin e dytë, kur nga një figurë krejtësisht e panjohur, u shndërrua në artisten më të pëlqyer të momentit. Me një performancë karizmatike, shpalosi këngën e saj

"Kot e Kot", e cila vetëm e tillë nuk ishte. Menjëherë ajo u kthye në hit, ndërsa Big Mamma atë vit shijoi për të parën herë dhe të vetmen, një trofe nga festivali ku vazhdon të rikthehet çdo vit. Në një intervistë për gazetën "Shqip", Besjana, kështu është emri i saj i vërtetë, u shpreh se edicionin e fundit i kishte premtuar vetes se nuk do të konkurronte më në "Top Fest". Kjo për faktin se 2 vjet radhazi nuk ishte shpërblyer me asnjë çmim. "Nuk munda gjithsesi të qëndroja larg. Sukseset e para i kam këtu, pastaj përse t‘i mohoj vetes pjesëmarrjen në këtë festival që për hir të së vërtetës ka të njëjtat parametra me MTV" - tha ajo. Duke u treguar supersticioze, Big Mamma tregoi se këtë herë nuk pret çmim, pasi në çdo rast që është shprehur e sigurtë, i ka shkuar huq. Por duket se paralel me këtë ide, nuk shkon kënga konkurruese e këtij viti, e cila quhet "Këtë radhë jam komandant".

Grupi "Supernova" nuk ka munguar gjithashtu në edicionin e radhës së këtij programi. Grupi që gjithnjë është shquar për tekstet interesante, këtë herë shpalos dashurinë e madhe për këngën, nëpërmjet një rrugëtimi në kërkim të vetvetes... "Rruga 66", (quhet kënga) është ajo që të shpie tek e vërteta, që ashtu siç shpjegojnë djemtë, e ka emrin muzikë. "Supernova", vitin e kaluar, u vlerësua me çmimin special dhuruar nga "Top Albania Radio", pasi kënga e tyre "S‘dua të tjerë", ishte një ndër më të kërkuarat apo të transmetuarat në radio. Nata finale e "Top Fest 4", u kurorëzua me një triumf të papritur për djemtë. Mbrëmja po i afrohej fundit dhe të bindur se të gjitha trofetë ishin shpërndarë, duke i lënë duarbosh për të tretin vit radhazi, po bëheshin gati të linin sallën menjëherë pas debutimit. Shpallja surprizë i çmimit "Top Albania Radio" i bëri të kërcejnë nga gëzimi. Të pyetur se çfarë presin këtë vit nga "Top Fest", Brizi, vokalisti i grupit, u shpreh: "Për ne gjëja më e rëndësishme është që kënga jonë të mos zhduket. Produksioni i këtij viti është shumë i mirë, kështu ajo që na intereson është të lançohet si duhet". ‘Top Fest‘, në këtë aspekt, nuk ka zhgënjyer asnjëherë".

Pa dyshim, Stine është ndër artistët më të spikatur të "Top Fest", për të mos thënë edhe një nga më të përkëdhelurit. "Lady Lady", ishte kënga që i dhuroi të gjithë lavdinë e edicionit të parë, duke e kurorëzuar si fitues të çmimit të madh prej dhjetë mijë eurosh. Ky triumf ka qenë një ogur i mbarë për Stine, i cili në çdo edicion ku ka marrë pjesë, ka rrëmbyer një trofe. Një ndër prezantimet e tij më të suksesshme ishte në "Top Fest 3", kur për herë të parë braktisi rrymën e tij të preferuar, R&B, për një baladë dashurie "Ishe ti". Ishte pikërisht kjo kënga që u vlerësua si më e votuara në internet, e që u kthye në hitin e vitit 2006. Pasi mori një trofe edhe në një kategori që lakmonte, atë të "Best R&B", me "Mos më thuaj jo", tashmë rikthehet në edicionin e pestë me një imazh ndryshe. I veshur kuq e zi, Stine këtë herë nuk i këndon më dashurisë, por Kosovës. Kuriozitetit tonë për këtë ndryshim të papritur, artisti i është përgjigjur se pavarësia e Kosovës e bëri t‘i rikthehej një balade, nëpërmjet së cilës shpalos ndjenjat e flakta patriotike. Duket se këngëtari është ngopur tashmë me çmime. Pasi e pyetëm se cili është çmimi që synon këtë edicion, me modesti shprehet se këtë radhë nuk konkurron për të fituar.

"Kënga me të cilën prezantohem këtë vit ka një rëndësi të veçantë. Ishte një frymëzim i momentit nga një ngjarje shumë e rëndësishme historike. Duke qenë se jam një patriot shumë i flaktë, m‘u duk e përshtatshme të prezantohesha me këtë këngë".

Balada ka qenë zhanri me të cilin konkurron edhe artistja e re nga Kosova, Hana, e cila ka lënë pas ritmet e forta rok që i siguruan suksesin vitin e kaluar. Një ndër rrymat muzikore që është prezantuar gjithnjë suksesshëm në "Top Fest" është ajo pop-rok. E nëse bëhet fjalë për të, nuk mund të mos kujtojmë fituesen e vjetshme në këtë kategori, Besa Kokëdhimën, e cila në prezantimin e saj të parë në këtë festival, me këngën "Unik" triumfoi mbi emra të tjerë të njohur të rokut, si grupi "Kthjellu" apo Xuxi, pretendentë të fortë për çmimin "Best pop and rock".

Edhe kënga me të cilën garon këtë vit "Edhe engjëlli vret" është e së njëjtës kategori. Mes artistëve që konkurruan gjatë javës ishin Vedat Ademi, Jeta Faqolli, Besmir Metani, Ernis Çili, Big G, Ori Bici, Pier Noshi, Shekrill, e shumë të tjerë.

Regjisori i "Top Fest", Bojken Lako, ka vlerësuar larmishmërinë që ofroi kjo javë për sa u përket rrymave muzikore dhe gjithashtu cilësinë e produksioneve të prezantuara. Për të shuar kuriozitetin tonë, Lako ka rrëfyer edhe disa nga emrat e artistëve që do të këndojnë në javën e shtatë të festivalit. Regjisori përmendi mes të tjerëve këngëtaren nga Kosova, Malda Susuri, fituese e "Best New Artist" në "Top Fest 3", Rezarta Shkurtën, Samanta Karavellon, Anjeza Brankën me Bertan Asllanin etj. Gjatë ditëve në vijim, do të ngjiten në skenë edhe finalistët e spektaklit "Ethet", rrugëtimi i të cilëve nuk përfundoi me programin në fjalë, por vijon edhe më ethshëm në programe të tjera, me të vetmin ndryshim se tashmë ata prezantohen si më të pjekur artistikisht dhe me një produksion të përgatitur posaçërisht për ta.

Gjatë javës së ardhshme do të hidhen në treg dy volumet e para të "Top Fest 5", me përmbledhjen e këngëve më të mira të javëve të para të festivalit. Pas datës 28 mars, kur edhe do të mbyllet konkurrimi, do të lançohen edhe dy cd të tjera.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›