Kërcënimet me vetëvrasje sprapsin fadromat
Banorët e disa shtëpive pa leje pranë plazhit të vjetër në Vlorë kanë arritur dje të sprapsin Inspektoratin e Ndërtimit dhe të shpëtojnë përkohësisht nga shembja strehët e tyre.
Inspektorati Ndërtimor i Bashkisë së Vlorës, i mbështetur nga forca të policisë bashkiake dhe policisë së rendit, tentoi dje të ekzekutonte një vendim për prishjen e disa banesave në lagjen “1 Maji”, në zonën pranë plazhit të vjetër. Këto banesa janë pa leje dhe në truallin ku ato ndodhen, KRRT-ja e bashkisë ka miratuar një shesh ndërtimi dhe ka dhënë lejen për ngritjen e një pallati tetëkatësh. Por banorët e shtëpive ilegale nuk e lejojnë shembjen, pasi kanë hyrë tashmë në proces legalizimi, si dhe kanë hapur një proces gjyqësor për pronësinë e tokës.
Edhe pse ishin lajmëruar për shembjen e banesave, asnjë prej banorëve nuk i kishte liruar ambientet. Përkundrazi, të gjithë ishin përgatitur për rezistencë. Një grua leu trupin me benzinë dhe kërcënoi se do t’i vinte flakën vetes nëse ndërtimorët do t’i shembin shtëpinë. Një tjetër grua hipi në tarracën e shtëpisë, duke kërcënuar se do të hidhej që andej nëse do t’i prishnin banesën. Kështu kanë vazhduar konfrontimet midis banorëve të lagjes “1 Maji” dhe punonjësve të Inspektoratit Ndërtimor dhe policisë bashkiake. Ndërkohë një e moshuar, edhe ajo banore e këtyre shtëpive, është dërguar me urgjencë në spital, pasi për shkak të tronditjes pati probleme të zemrës.
Pas disa orësh, fadroma e ndërtimorëve është detyruar të tërhiqet, pa arritur të realizojë qëllimin. Ndërtimorët arritën të shembnin vetëm disa ndërtime të vogla që nuk përdoreshin për banim, si dhe të ndërhynin pjesërisht në dy banesa.
Sipas banorëve B. Dule, M. Grabova, B. Shabani dhe të tjerë, shtëpitë janë në proces legalizimi dhe ata kanë paguar dy fatura në agjencinë e legalizimeve. Nga ana tjetër, ata kanë hapur edhe një proces gjyqësor për pronësinë e tokës. Banorët thonë se ata që kanë marrë pronësinë e tokës dhe duan të ndërtojnë pallat, e kanë përfituar këtë sipërfaqe me dokumente të falsifikuara. Për këtë ata kanë hapur edhe një proces gjyqësor, pasi pretendojnë se toka që i është dhënë një familjeje nga Vlorë, ka qenë në fakt tokë shtetërore dhe se pronarët e rinj kanë falsifikuar dokumentet. Banorët u kanë treguar gazetarëve dokumentet ku mbështesin pretendimet e tyre dhe deklaruan se nuk do të lejojnë prishjen e shtëpive, duke kërcënuar se do të arrijnë deri në vetëflijime.
#