Shkëmbim informacioni mes policisë shqiptare dhe turke
Kreu i hetimit të krimeve në policinë turke ka mbërritur në Shqipëri për një shkëmbim informacioni me homologun shqiptar. Zv/drejtori i Përgjithshëm për Hetimin e Krimit, Agron Kuliçaj, ka pritur dje një delegacion të kryesuar nga zv/drejtori i Përgjithshëm për çështjet e Krimit në Policinë Turke, Osman Capali, në kuadër të vizitës së tij dyditore në vendin tonë. Në qendër të bisedës së zhvilluar ndërmjet drejtuesve të hetimit të krimit të policisë së dy vendeve ishte forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit policor ndërmjet Shqipërisë dhe Turqisë, veçanërisht në fushën operacionale të goditjes së krimit të organizuar dhe shkëmbimit të informacionit. Kuliçaj, gjatë këtij takimi vlerësoi bashkëpunimin dhe asistencën e vazhdueshme të dhënë nga policia turke për Policinë e Shtetit në drejtim të forcimit të kapaciteteve nëpërmjet trajnimeve të ndryshme, por edhe të pajisjeve të dhuruara. “Ne e çmojmë shumë kontributin dhe asistencën e policisë turke dhënë Policisë së Shtetit shqiptar, si në drejtim të arsimimit të një numri të madh të punonjësve të policisë shqiptare, mbështetjes së madhe logjistike të dhënë ndër vite për strukturat e policisë, trajnimet në mënyrë të vazhdueshme, si dhe kontributin e dhënë për kapjen e një sërë personash, drejtues të organizatave dhe grupeve kriminale në vendin tonë”, tha Kuliçaj. Në përfundim të këtij takimi, zv/drejtori i Përgjithshëm për çështjet e krimit në Policinë Turke, Osman Capali, garantoi mbështetjen e mëtejshme të policisë turke duke shprehur bindjen se intensifikimi i mëtejshëm i këtij bashkëpunimi do t’i shërbejë rritjes së efikasitetit të strukturave policore të të dy vendeve në goditjen e krimit dhe në veçanti formave të organizuara të tij.
#