"Posta nuk na sjell faturat e telefonit në shtëpi "
"Prej disa muajsh po përballemi me problemin e mosardhjes së faturave të telefonit në shtëpi. Jemi shumë të indinjuar dhe ende nuk po kuptojmë se përse ndodh një gjë e tillë. Ndonëse jemi shumë të kënaqur nga shërbimet e tjera të Postës Shqiptare nuk dimë arsyen e vërtetë që shpërndarësit nuk na sjellin faturat, me qëllim që ne të shkojmë dhe të arkëtojmë pagesat për të mos pasur detyrime ndaj Albtelekomit". Është ky reagimi dhe njëkohësisht kërkesa e një grupi banorësh të Rrugës së Dibrës në kryeqytet. Ata shprehen se kjo i ka vënë në vështirësi, për faktin se nuk e dinë se sa impulse telefonike kanë harxhuar dhe as mund të planifikojnë të ardhurat për të ndarë mënjanë paratë që i detyrohen kompanisë së telefonisë. "Si do të mundemi ne që të shkojmë të paguajmë kur nuk dimë se sa para duhet të marrim me vete. Ardhja e faturës në shtëpi do na krijonte mjaft lehtësira, për faktin se ishim shumë të qartë dhe madje kishim edhe mundësi t‘i paguanim ato në zyrën postare më të afërt që kemi në lagje, meqë dhe aty bëhet arkëtimi", shprehen banorët e kësaj zone. Për të mësuar shumat që duhet të paguajnë për telefonin ata shkojnë në zyrën postare, japin emrin dhe punonjësja sheh listën, duke i treguar edhe detyrimin përkatës. Por banorët janë skeptikë lidhur me saktësinë e këtyre detyrimeve, ndaj e konsiderojnë ardhjen e faturës në shtëpi si një mundësi për të shmangur çdo abuzim.