E Diel, 1 Nëntor 2026

Gruaja e Kosta Trebickës, ndan pasurinë me vajzën

 

TIRANE – Brunela Trebicka, e veja e biznesmenit që denoncoi trafikun e armëve në Gërdec, Kosta Trebicka, i drejtohet sërish gjykatës në lidhje me pasurinë e trashëguar nga bashkëshorti. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Gjykatës së Tiranës. Sipas burimeve, me anë të një kërkesë padie, e veja e biznesmenit që humbi jetën në një aksident rrugor, kërkon pjesëtimin e pasurisë së përbashkët bashkëshortore. Shorti elektronik i gjykatës ka përzgjedhur gjyqtaren Regleta Panajoti, si togën e zezë që do të shqyrtojë këtë padi, ndërsa në ditët në vijim pritet të caktohet data e seancës së parë. Padia e ish-bashkëshortes së biznesmenit Trebicka është depozituar në Gjykatën e Tiranës pak ditë më parë. Si palë paditëse në kërkesë-padi është Brunela Trebicka, ndërsa si palë e paditur është Genta Trebicka, vajza e Kosta Trebickës, nga martesa e parë. Sipas kësaj padie, Brunela Trebicka kërkon që të pjesëtohet pasuria bashkëshortore e trashëgimore, si edhe kërkimin e pjesës që i takon nga pasuria e siguruar pas martesës së saj me biznesmenin. “Pjesëtimin e pasurisë bashkëshortore dhe pasurisë trashëgimore. Kërkimin e pjesës takuese nga pasuria e përbashkët që rrjedh nga kontributi gjatë martesës”, thuhej në objektin e padisë.
Në muajin prill të këtij viti një vendim i gjykatës së Tiranës, i ligjëroi Brunela Trebickës të drejtën për të administruar pasurinë e djalit të saj 11-vjeçar, derisa ai të arrijë moshën madhore. Shkak për të “trokitur” në gjykatë ishte rinovimi i një kontrate prej mijëra eurosh të marrë nga bashkëshorti i saj përpara se të ndërronte jetë. Pas aksidentit rrugor që i mori jetën biznesmenit Trebicka, pronarë të shoqërisë së ndërtuar prej tij u bënë bashkëshortja e tij, djali i mitur dhe vajza e lindur nga martesa e parë. Por, ndërsa ishin të tre në statusin e “bashkëpronarëve”, mosha e mitur nuk i lejonte djalit kryerjen e veprimeve bankare, në një kohë që shoqëria duhet të shlyente një kredi. Në të tilla kushte e veja e Trebickës iu drejtuar gjykatës për të administruar pasurinë e trashëguar në emër të djalit.                                 a.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›