E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqtarët ankesë tjetër në Kushtetuese

 

Fatos Mahmutaj

Kryetarja e Shoqatës së Gjyqtarëve të Shqipërisë, Manjola Bejleri, tha se do dorëzojë në Gjykatën Kushtetuese një padi të dytë në lidhje me ligjin “Për pushtetin gjyqësor”. Një ditë pasi Gjykata Kushtetuese shpalli vendimin ku u heq të drejtën kancelarëve për të emëruar dhe shkarkuar punonjësit e gjykatës, një kompetencë kjo e dhënë kancelarëve nga ligji i propozuar prej Alibeajt, Bejleri thotë se i njëjti ligj do të shkojë përsëri në Kushtetuese. “Pas shfuqizimit në Kushtetuese të kompetencave të kancelarit të gjykatës në lidhje me administratën gjyqësore, do kërkojmë shfuqizimin e pjesëve të tjera të ligjit që kanë të bëjnë me gjykatësit”. Manjola Bejleri, Kryetarja e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve, duke vlerësuar dje vendimin e Kushtetueses, tha se tashmë shoqata që ajo drejton do i drejtohet sërish kësaj gjykate, për të njëjtin ligj, si për pjesën e emërimit dhe shkarkimit të kancelarit nga Ministri i Drejtësisë, ashtu edhe për pjesën që i përket gjyqtarëve si emërimi dhe shkarkimi i gjykatësve, rastet e procedimit disiplinor dhe transferimi si masë disiplinore. Duke analizuar vendimin e dy ditëve më parë të Kushtetueses, Bejleri pohoi se kërkesa kryesore e SHKGJSH ishte pranuar nga Kushtetuesja, e cila me këtë vendim i pakësonte presionet politike dhe ato ekzekutive në gjyqësor. Dy ditë më parë Kushtetuesja vendosi: “Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të shprehjes në nenin 38, shkronja “a” të ligjit numër 9877, pika “a” ku thuhet se kancelari emëron dhe shkarkon personelin e sekretarisë gjyqësore dhe personelin administrativo-teknik të shërbimeve të gjykatës”. Më tej kjo gjykatë u shpreh se rrëzonte kërkesën e dytë të SHKGJSH, lidhur me pretendimin për jokushtetutshmërinë e shprehjes në nenin 38, shkronja “b” të ligjit numër 9877, pika “b”, ku thuhet se kancelari mbikëqyr procesin e organizimit dhe të dokumentimit të ndarjes së çështjeve gjyqësore nëpërmjet shortit, si dhe nënshkruan përcjelljen e praktikës së çështjes gjyqësore te gjyqtari i caktuar”. Po kështu, Kushtetuesja pohoi dje se refuzonte të shqyrtonte kërkesën e SHKGJSH, lidhur me pretendimin për jokushtetutshmërinë e shprehjes në nenin 37, pika 2, të të njëjtit ligj ku thuhet: “Kancelari emërohet dhe shkarkohet nga Ministri i Drejtësisë”. Burime të Gjykatës Kushtetuese pohojnë se shkak për refuzimin për t’u shprehur për këtë, kërkesës të SHKGJSH, ishte fakti se gjykatësit u ndanë në dy grupe të barabartë, me nga katër persona, pro dhe kundër kërkesës. Bejleri pohoi dje se të njëjtën kërkesë, SHKGJSH do e paraqiste sërish në Kushtetuese, pasi të diskutohej përsëri si dhe duke shtuar argumente të tjera.

Artan Zeneli prezantohet kryegjyqtar i Tiranës

TIRANE – Kryetari i Gjykatës së Tiranës Artan Zeneli, i zgjedhur pak ditë më parë nga KLD, u prezantua dje para stafit të kësaj gjykate. Pjesëmarrës në ceremoni ka qenë nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, i cili ka bërë edhe prezantimin e kryegjyqtarit Zeneli përpara togave të zeza kryeqytetase. Duke marrë shkas edhe nga vendimi i dy ditëve më parë të Gjykatës Kushtetuese, në lidhje me kompetencat e Kancelarit të Gjykatës, në takimin e djeshëm u pohua se Gjykata do të drejtohej duke iu përshtatur këtij ndryshimi. Në vijim kryegjyqtari Zeneli u njoh me të gjitha ambientet e gjykatës së cilës do t’i duhet të drejtojë. Gjyatari Artan Zeneli u emërua në krye të Gjykatës së Tiranës në mbledhjen e fundit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Zgjedhja e tij shkaktoi jo pak “zhurmë” në gjyqësor, pasi emri i tij në krye të gjykatës u kundërshtua nga Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Pas mbarimit të mbledhjes, ku u votua gjyqtari Zeneli, ministri Alibeaj, pohoi për median se procesi ishte fals dhe se zgjedhja ishte jo e ligjshme. Ndërsa KLD zyrtarisht pohoi se kryetari u zgjodh me shumicë votash në një proces të rregullt.  ar.ba 

Prokurori i Kurbinit nuk paraqitet në Këshill për masën disiplinore

TIRANE – Këshilli i Prokurorisë së Përgjithshme shtyu mbledhjen e djeshme për më 17 korrik 2009, pas mosparaqitjes së prokurorit të Laçit, Tom Deda, i cili është propozuar për masë disiplinore. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, sipas të cilave në mbledhjen e djeshme të Këshillit të prokurorisë, do të diskutohej dhe vendosej në lidhje me propozimin për masë disiplinore ndaj prokurorit të Kurbinit Tom Deda. Edhe në dy mbledhjet paraardhëse të Këshillit, sipas burimeve zyrtare, prokurori në fjalë është thirrur për të paraqitur objeksionet e veta. “Prokurori Tom Deda nuk është paraqitur në mbledhje që nga fillimi i qershorit deri ditën e sotme (dje). Fillimisht ai nuk ka marrë njoftim për mbledhjen, ndërsa tani kur i janë dërguar thirrjet nuk i ka marrë në dorëzim”, thanë burimet nga Prokuroria e Përgjithshme. Sipas tyre, nëse prokurori në fjalë nuk paraqitet as në mbledhjen e 17 korrikut 2009, atëherë procedimi disiplinor ndaj tij do të zhvillohet në mungesë. Organi i akuzës tha se me urdhër të kryeprokurores Ina Rama, Drejtoria e Inspektimit ka bërë kontroll në Prokurorinë e Kurbinit për periudhën 2007-2008 ,nga ku prokurori Tom Deda ka rezultuar me shumë dosje të përfunduara me pafajësi në gjykatë, ose të pezulluara dhe të pushuara. “Pas këtyre konstatimeve, prokurori në fjalë është propozuar për masë disiplinore në Këshillin e Prokurorisë, i cili duhet të marrë një vendim për t’ia paraqitur Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm”, thanë më tej burimet. Sipas tyre, grupi i kontrollit që verifikoi dosjet e hetuara nga prokurori, Deda, ka bërë propozimin përkatës për masë disiplinore në Këshillin e Prokurorisë.                     t.s 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›