Emigrantët larje hesapesh në plazh, plagosen dy vetë
DURRES/ OERD ULQINI
Një dyluftim me pistoleta terrorizon plazhin e Durrësit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orën 22:30 të së enjtes, në kohën kur muzika “live” në Plazh ishte në maksimum. Dy persona, njëri ish-emigrant dhe tjetri i sapokthyer nga Italia janë protagonistët. Por larja e pazareve në plazh shkaktoi dy të plagosur të rastësishëm. Ata janë dy kamerierë të një lokali pranë sektorit “Hekurudha”, Sokol Shëngjergji, 28 vjeç dhe S.Rustani, 17 vjeç. Ndonëse u plagosën nga shkëmbimi i zjarrit, për fat të mirë asnjëri prej tyre nuk rrezikon jetën. Në kushtet e flagrancës është arrestuar njëri nga “pistolerët”. Leonard Lusha, 33 vjeç, emigrant në Itali dhe njëkohësisht tregtar në plazhin e Durrësit, ka tentuar të arratiset menjëherë. Pasi kishte qëlluar me pistoletë në drejtim të rivalit të tij Eduart Meta (Elezi) Lusha është përballur me dy policë të qarkullimit rrugor. Në tentativë për t’i shpëtuar ndalimit, Lusha ka qëlluar me grushte për shkak të detyrës punonjësit e policisë, por nuk ka arritur të bëjë asnjë veprim më tepër, pasi është arrestuar më pas prej tyre. Në orën 04:00 të mëngjesit, shtetasit Leonard Lusha, të lindur në Gosë të Kavajës i janë vënë prangat. Ndërkohë policia po ndjek këmba-këmbës të implikuarin tjetër në ngjarje, shtetasin Eduart Meta (Elezi). Edhe ky i fundit është banor i Kavajës, por rezident në Durrës gjatë viteve të fundit. Policia në vendngjarje ka sekuestruar 5 gëzhoja pistolete (të nxjerra nga armë të ndryshme), çka do të thotë se secili prej të dyve ka kryer qitje me armë zjarri në drejtim të njëri-tjetrit. Policia ka dyshime të forta se konflikti mes Lushës dhe Metës ka lindur që në Itali, shtet në të cilin të dy kanë qenë emigrantë. Hetuesit kanë bindjen se bëhet fjalë për një konflikt të vjetër, nisur nga fakti që Eduart Meta ka katër vjet që është kthyer nga emigracioni. Pas procesit identifikues edhe Eduard Meta u shpall në kërkim policor. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së rrethit të Durrësit për veprat penale të “vrasjes së mbetur në tentativë” dhe “armëmbajtjes pa leje” në ngarkim të dy të lartpërmendurve si dhe “goditjes për shkak të detyrës” në ngarkim të Leonard Lushës. Hetuesit, ndonëse e dinë faktin se zanafilla e sherrit ka qenë që në Itali, nuk janë akoma në gjendje ta përcaktojnë motivin e saktë, i cili shtyu dy personat në larje llogarish në mes të plazhit. Mësohet se të lënduarit rastësisht janë kamerierët Sokol Shëngjergji (vëllai i pronares së lokalit të marrë me qira) dhe S.Rustani, (nipi i Eduart Metës). Ata për fat të keq janë gjetur rastësisht në trajektoren e plumbave që dilnin nga pistoletat e Lushës dhe Metës.