Gruaja e deputetit: S’do të hesht për vrasjen e Fatmirit
FIER / MAJLINDA RAMA
Tri javë pas vrasjes misterioze të deputetit socialist, Fatmir Xhindi, familjarët e tij vendosin të thyejnë heshtjen. Vetëm pasi kanë parë që organet e drejtësisë ende nuk kanë hedhur dritë mbi krimin e ndodhur në derën e shtëpisë, në Roskovec. Të irrituar ata kanë akuzuar strukturat e policisë dhe të prokurorisë për paaftësi. Bashkëshortja e deputetit të ndjerë, Xhemilja, ka deklaruar se së bashku me familjarët e tjerë kërkojnë zbardhjen sa më shpejt të kësaj ngjarjeje, duke i cilësuar veprimet e deritanishme si zvarritje. Ajo vetë thotë se as motivet nuk janë zbardhur, duke mohuar sërish se vrasja ndodhi për konflikt pronësie. Ndërsa i vëllai i deputetit, Ilir Xhindi ka treguar se janë të gjithë më se të fyer nga kjo ngjarje e pazbuluar. “Një vrasje që ka për viktimë një përfaqësues parlamenti dhe uniformat blu apo organi i akuzës nuk marrin masa. Kërkojmë reagimin e organeve kompetente dhe zbardhjen sa më shpejt të ngjarjes. I kemi të drejtuar sytë dhe veshët nga drejtësia, për zbulimin e rrethanave, arsyes dhe autorit, prandaj kemi mbetur të befasuar nga kjo situatë e pushtuar vetëm nga heshtja”, ka vijuar Iliri. Xhemile Xhindi tregon se 1 javë më parë i shoqi kishte mësuar faktin se do të ishte në listën e kandidatëve të PS-së për deputet në Fier, çka lë të kuptosh se familjarët e lidhin ekzekutimin me detyrën.
Pse vendosët ta thyeni heshtjen që prej vrasjes së bashkëshortit tuaj?
Nuk kam folur, sepse nuk e kam parë të udhës. Kam pasur besim tek organet kompetente dhe ua kam lënë në dorë atyre që ta zgjidhin këtë mister. Por po shoh sesi ka marrë kjo rrjedhë e gjërave. Një ngjarje kaq e rëndësishme, që nuk më lë të fle natën, kalohet kaq lehtë. Dua t’i kërkoj me ngulm drejtësisë që të zbardhë ngjarjen sa më shpejt, pasi nuk mund të duroj dot më. Nuk mund të vazhdoj të hesht. Kam heshtur gjithë këto ditë, duke e besuar me të vërtetë zbardhjen e ngjarjes nga drejtësia dhe organet kompetente, por tani që e shoh që po kalohet si ngjarje e dorës së dytë, nuk mund të hesht. Të kërkoj drejtësi kam të drejtë. Këtë të drejtë ma jep të qenit grua e Fatmirit, të qenit nëna e tre djemve që kërkojnë dhe presin me sytë nga drejtësia dhe të qenit pjesë e një familjeje të ndershme, që në asnjë moment nuk i ka bërë keq askujt.
Po mbushen 3 javë nga ngjarja dhe ende nuk ka një motiv, pse u krye vrasja e deputetit. A keni ju një qëndrim tuajin dhe një pistë për vrasjen që e dyshoni?
Nuk më ka ardhur asgjë në mendje, sepse siç e thashë nuk i kemi bërë keq askujt. Më vjen keq që këto ditë nga organet kompetente nuk na është komunikuar asgjë lidhur me shkaqet e këtij krimi. Prandaj kërkoj që policia dhe prokuroria të punojnë me përgjegjësi lidhur me këtë ngjarje. Unë nuk dua të aludoj, por nuk ka vlerë kur bëhen kaq e kaq arrestime për vepra penale të dorës së dytë, siç janë vjedhjet dhe nuk vihet pika mbi “i” për këtë vrasje. Kërkoj të di arsyen përse ndodhi kjo gjëmë në shtëpinë time dhe pastaj gjetjen e autorit.
Tashmë keni vendosur të flisni e të reagoni. Si?
Lidhur me të gjitha këto që unë dhe familjarët e mi, vëllezërit dhe të afërmit e burrit tim i kemi konsideruar si padrejtësi i kemi shkruar një letër urgjente Presidentit të Republikës, Bamir Topi, Kryeministrit Sali Berisha dhe Kryeparlamentares Jozefina Topalli. Në këtë letër ne u kërkojmë krerëve të shtetit të angazhohen për vënien para drejtësisë të autorit të këtij krimi. Aty u kemi shkruar se jemi të shtangur pse në kaq ditë nuk ka pasur asnjë të re, madje as në media, duke thënë se policia dhe prokuroria nuk u kanë bërë të ditur mbi zhvillimit të hetimeve. Në këto kushte u themi se kjo është paaftësi e policisë dhe prokurorisë. Presim reagimin e tyre.
Po më vonë?
Ende s’e di...
Vrasja në Roskovec
Deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi u vra më 2 maj pranë banesës së tij në qytezën e Roskovecit në rrethin e Fierit. Sipas familjarëve, tashmë ka ardhur kohë që të thyhet heshtja për të vetmen arsye, se për disa ditë rresht si politika ashtu edhe shteti e dënuan ashpër krimin e rëndë dhe garantuan zbardhje të shpejtë të ngjarjes, por kjo nuk ndodhi. Fatmir Xhindi ishte deputet prej tre legjislaturash në zonën 68 në Roskovec dhe mësohet se ishte prapë në listën e kandidatëve për deputet.
“Djali deputet, ëndrra e Fatmirit vazhdon”
Megjithëse mes vuajtjesh për situatën e krijuar, Xhemilja nuk ka dashur të anashkalojë edhe zhvillimet politike, ku një emocion të veçantë ka pasur shpallja si kandidat i PS-së, i djalit të saj dhe deputetit të ndjerë, Anduel Xhindi. “Ndihem mirë. Mirë sepse ëndrra e Fatmirit për të kontribuar në zhvillimin dhe demokratizimin e vendit, do të vazhdojë. Kjo më bën entuziaste. E shoh me optimizëm këtë dalje të emrit të Anduelit, si pjesë e përfaqësimit të vlerave të familjes Xhindi. Jam e bindur që edhe Fatmiri do jepte miratimin e tij”, shprehet ajo. Mësohet se Anduel Xhindi, i lindur më 25 nëntor 1987, aktualisht ndjek studimet në Fakultetin e Ekonomisë, dega Financë në Tiranë, pasi dhe shkollën e mesme e ka ndjekur në kryeqytet. Ai është në vitin e fundit të fakultetit, ndërsa propozimi për kandidat për deputet i ka ardhur nga Partia Socialiste, propozim të cilin e ka pritur me kënaqësi. Sipas familjarëve, rezultatet në mësime të Anduelit kanë qenë të shkëlqyera. Ai është fëmija i madh i familjes Xhindi. Djali i dytë i deputetit, Armando vazhdon studimet për Mjekësi në Rumani, ndërsa i vogli mëson në një shkollë të mesme jopublike në qytetin e Fierit.
Nishani: Hetimet për vrasjen e Fatmir Xhindit kanë avancuar
TIRANE - Ministri i Brendshëm Bujar Nishani tha dje se hetimet për vrasjen e deputetit të PS-së Fatmir Xhindi kanë pasur ecuri esenciale. Kreu i dikasterit tha se grupi hetimor që po heton ngjarjen e 2 majit, ku mbeti i vrarë Xhindi, ka përparuar me hetimet dhe gjithçka po ecën me shpejtësi të konsiderueshme. Këtë deklaratë ministri Nishani e bëri dje para gazetarëve në përfundim të ceremonisë së certifikimit të 18 nënkomisarëve të rinj të policisë në Tiranë. “Vrasja e deputetit Fatmir Xhindi do të zbardhet shumë shpejt”, është shprehur Nishani. Ai nënvizoi se hetimet për vrasjen e deputetit Xhindi po ecin mirë deri tani. Reagimi i Nishanit erdhi pas akuzave të familjarëve të deputetit Xhindi, të cilët thanë dje se strukturat shtetërore po mbajnë peng hetimet për vrasjen e njeriut të tyre. Ministri Nishani u shpreh se kanë ndodhur zhvillime esenciale lidhur me hetimet për ngjarjen dhe se aktualisht strukturat e hetimit po punojnë në pista konkrete. Ministri u shpreh gjithashtu se kjo ngjarje është e një cilësie të veçantë dhe kërkon kohën e duhur për t’u zbardhur, ndërsa garantoi familjarët dhe opinionin publik se autorët do të vihen para drejtësisë dhe do të marrin ndëshkimin e merituar. Më parë të afërm të deputetit të PS-së në Roskovec, u shprehen se kur kanë kaluar 18 ditë shteti po shfaq paaftësi totale në zbardhjen e motiveve dhe kapjen e autorëve. Fatmir Xhindi, deputet i PS-së prej 3 legjislaturave në Roskovec të Fierit u vra në fillim të këtij muaji, mbrëmjen e 2 majit dhe deri tani policia nuk ka ndonjë person të dyshuar për këtë ngjarje. Gjatë ditëve të fundit hetimet janë përqendruar në një pistë të re që lidhet me konflikte apo mosmarrëveshje të mundshme të personave të afërm të deputetit Xhindi. Për këtë pistë mësohet se grupi i hetimit ka shoqëruar tre persona në policinë e Fierit, duke i marrë ata në pyetje mbrëmjen e të martës për disa orë.