Veliaj: Nano, gërmadha morale e politikës së vjetër
Kreu i G99 Erjon Veliaj iu përgjigj akuzave që ish kryetari socialist kishte adresuar ndaj tij dy ditë më parë. “Jemi sot në këtë deklaratë për shtyp, së pari për të reaguar ndaj komenteve që dëgjuam dje nga një gërmadhë morale e quajtur Fatos Nano. Ajo që ndodhi dje është që pamë që Fatos Nano vizitoi sërish Shqipërinë. Në këto katër vjet Shqipëria është vizituar më shumë nga kryeministra italianë sesa nga ish-kryeministri i saj. Ajo që pamë dje ishte qesharake dhe ishte një fyerje ndaj të rinjve shqiptarë, të cilëve sërish ju ofrohet e njëjta gjellë politike, të cilën e kanë gatuar këta politikanë dhe me të cilën jemi ushqyer këto 18 vitet e fundit”, tha Valiaj gjatë një konference për shtyp. Gjatë kësaj konference, Veliaj i kërkoi në distancë Nanos që të sqaronte vendtakimet në Vjenë me studentët shqiptarë, në një kohë kur këta të fundit paguajnë taksa që deputeti Nano të shkojë në parlament. “Ajo që ndodhi është që fantazma e politikës së vjetër, e quajtur Fatos Nano, e vizitoi Shqipërinë në një moment kritik, momentin më kritik kur shqiptarët do të duhet të vendosin midis hapjes së një kapitulli të ri apo ndjekjes së një politike të vjetër dhe në fakt ka ardhur në momentin më të mirë sepse na qartësoi të gjithëve se çfarë përfaqëson në thelb politika e vjetër e zotit Fatos Nano dhe zotit Sali Berisha”, tha Veliaj.