E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lista e PS, përjashtohen 11 deputetë

 

Aristir Lumezi

Lista e kandidatëve socialistë për zgjedhjet e 28 qershorit ka përjashtuar nga grupi aktual 11 deputetë. Duke filluar nga ish kryetari socialist Fatos Nano, nënkryetari i parlamentit, Ylli Bufi, sekretari i qarkut Tiranë, Musa Ulqini, por dhe Besnik Dervishi e të tjerë, kanë mbetur jashtë listës së kandidatëve për deputetë. Një nga deputetët që mbetën jashtë kësaj liste, Elmaz Sherifi, i kontaktuar në telefon tha se “kjo ishte një zgjedhje e kryetarit të PS-së”. “Unë kam qenë deputet në tre legjislatura, kam konkurruar dhe kam marrë besimin e popullit, me të cilin unë ruaj marrëdhënie shumë të mira. Ky është një sistem që ia ka dhënë kompetencat kryetarit të Partisë dhe përtej kësaj nuk kam asnjë koment tjetër”, tha Sherifi. Deputeti Elmaz Sherifi është deputet i Gramshit, një rreth i cili konsiderohet si bastion i të majtës. Sherifi u shpreh se do të vazhdojë të mbajë lidhjet me zonën e tij elektorale. “Do vazhdoj të jem politikan i ndershëm, aktiv dhe i lidhur me zonën time elektorale për të cilën kam një respekt të veçantë. Unë kam qenë një politikan i suksesshëm, ku e djathta nuk ka gjetur asnjëherë elementë për të më sulmuar politikisht, ashtu siç ka bërë me deputetët e tjerë socialistë, me ose pa argumente dhe fakte”, tha Sherifi. Deputetët që mbetën jashtë listës kanë kërkuar nga kryetari socialist sqarime rreth kritereve që janë përdorur për të seleksionuar listën e kandidatëve. Por ata nuk kanë pranuar që të jenë në pjesën mbushëse të listës, duke kërkuar që të jenë më mirë jashtë saj. E ndërsa deputetët Fatos Nano, Ylli Bufi, Musa Ulqini, Besnik Dervishi, Stefan Cipa, Flamur Hoxha, Rrapush Tola, Elmaz Sherifi, Rajmonda Stefa kanë mbetur jashtë listave, deputeti i Belshit, Ndriçim Hysa është vendosur në vendin e 13, të parafundit të listës së qarkut të Elbasanit. Edhe Hysa duket se nuk ka dashur të largohet nga lista, pasi në vendin e 13 në qarkun e Elbasanit ai është humbës, por ka pranuar të kontribuojë për të nxjerrë deputetë të tjerë që ndodhen në vendet e para të kësaj liste. Në fakt nuk ka qenë e lehtë as për Hysën dhe as për kryetarin Rama marrja e një vendimi të tillë. Hysa ka kundërshtuar këtë vendosje, madje ai është shprehur i befasuar nga ky vendim, pasi ditët e fundit ai ka qenë më pranë Ramës dhe krerëve të ekipit të kandidatëve të këtij qarku. Mbrëmjen e së martës, madje në selinë rozë, kanë ardhur edhe të zgjedhur vendorë partiakë dhe të komunave që përbëjnë zonën elektorale të deputetit Hysa, të cilët kanë ngulmuar në vendosjen e emrit të Hysës në vendet fituese. Ata nuk janë pritur nga Rama, por ka qenë sekretari për Programin, Andis Harasani, i cili i ka sqaruar ata por lista  përfundimtare rezultoi humbëse për deputetin e Belshit, i cili ka pesë mandate në historinë e tij politike. Deputetët që kanë mbetur jashtë liste nuk kanë preferuar të japin shpjegime rreth kësaj mënyrë se si u hartua lista e kandidatëve për deputetë. Të gjithë deputetët e përjashtuar nga lista kanë qenë mjaft aktivë, jo vetëm në parafushatën zgjedhore, e cila ka kohë që ka nisur, në mitingjet festive dhe protestuese të PS-së, por dhe në të gjitha fazat e dialogut që Edi Rama ka zhvilluar në të gjithë Shqipërinë.    

Deputetët jashtë listave të PS

Fatos Nano
Ylli Bufi
Musa Ulqini
Besnik Dervishi
Stefan Cipa
Flamur Hoxha
Rrapush Tola
Elmaz Sherifi
Rajmonda Stefa
Pilo Kerri
Ndriçim Hysa, i
parafundit në Elbasan

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›