E Diel, 1 Nëntor 2026

Gruaja, kjo qenie thellësisht shpirtërore

Një grua komplekse dhe e komplikuar, ashtu si vetë bota njerëzore, shfaqet në punimet e piktores italiane, Donatela Seritela (Donatella Serritella), e njohur në art me emrin Zhorzh Sand (George Sand). Mbi 30 grafika të saj janë ekspozuar në ambientet e galerisë së arteve "Jozef" në qytetin e Durrësit, nën titullin "Ëndërr ...realitet artistik". Koha dhe gruaja, një grua e pafytyrë, pa një identitet të përcaktuar qartë, që vërtitet nëpër kohë në kërkim të romantikës dhe një realiteti që duket sikur e zhvesh nga brendia e bukur e saj, janë vënë në qendër të punimeve të saj në grafikë. "Është një grua pa fytyrë kur vihet përballë pasqyrës. Një grua që shfaqet në të gjitha dimensionet e saj. Një grua e vuajtur, romantike, pak e egër, por thellësisht shpirtërore", thotë Donatela, e cila pasqyron personazhe pa identitet, por të përgjithësuar, që shihen në pasqyrën e kohës. Ndjehet e kënaqur nga shikueshmëria e ekspozitës së saj që në ditën e parë, si dhe serioziteti me të cilin organizatorët, dy piktorët durrsakë, Nikolet Vasia dhe Shpresa Beqiri, si dhe Arla Gruda, mundësuan realizimin e saj. Madje dhe interesi për të blerë punimet e saj që në kontaktin e parë të artdashësve me to është një tjetër mbresë që piktorja e përcjell me modesti. Donatela Aurora Seritela e mori pseudonimin Zhorzh Sand në vitin 2005, për t‘u ndjerë e lidhur përfundimisht pas tij, duke vlerësuar shkrimtaren e njohur franceze që mbajti të njëjtin pseudonim në shekullin XIX dhe marrëdhënien mes saj dhe Bodlerit. Ajo lindi në Sondrio të Italisë, në vitin 1960 dhe është formuar duke frekuentuar Akademinë e Arteve të Bukura të Romës. Ndoqi këshillat e pedagogut të saj, Montefiore, i cili pikasi talentin e saj natyral ndaj vizatimit dhe Donatela u fut në rrugën e aventurës së grafikës së zbatuar në material, kryesisht në metalet zink dhe bakër. Ekspozitën e parë në Shqipëri ajo e ka çelur në Tiranë në dhjetorin e kaluar, për t‘u rikthyer në vendin e shqiponjave në një tjetër qytet dhe me të tjera punime. Ndonëse dhe në këtë ekspozitë ka punime të prezantuara në atë me titull "Ëndërr produktive" të çelur fundvitin e kaluar në galerinë e Akademisë së Arteve. "Teknika është kërkesa e përhershme e kësaj grafisteje italiane. Ajo realizon sipërfaqet, njollat, linjat drithëruese dhe ekspresive, prekjet delikate dhe gërvishtjet e thella dhe me to jep gjithë variacionin emocional për temat e saj", shprehet piktori i mirënjohur, Nikolet Vasia. Punimet e prezantuara në ekspozitën e Durrësit janë të realizuara në të tria teknikat klasike të grafikës (aqcuatinta, acquaforte dhe gjilpëra e thatë), të përdorura herë veçan dhe herë të përziera. Zhorzh Sandi italian prek tema të dimensionit ekzistencial të njeriut të humbur, paqes së shumëkërkuar e me krahë të prerë pëllumbi, dhembjes që mundon dhe dëshirës për erotikë e romantikë përtej vrazhdësisë që mbart shpesh realiteti.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›