E Diel, 1 Nëntor 2026

Gruaja në politikë, investim e sfida

TIRANE - Një vështrim i shkurtër historik
Të jesh e përfshirë në politikë përse nuk mjafton vetëm dëshira dhe vullneti? Në një këndvështrim të shkurtër historik
duket sikur duket sikur paragjykimi i ka rrënjët qysh nga koha kur njerëzimi mori zjarrin e ndërgjegjes prej Prometeut. Tragjediani i madh Euripidi e nënvizon se Zeusi u mërzit me Prometeun përse ua dha ndërgjegjen njerëzve e në veçanti, përse ua dha edhe Grave. Këtë fakt e përmend edhe Lukiani. Por qysh në mitologji kemi perëndi burra, ka edhe perëndi gra, madje në Olimp janë 6-6. Paçka se Zeusi i pëlqente gratë, madje e tradhtonte Eran me tokësoret, të cilat e kënaqnin atë me përkohshmërinë e tyre! Sfidat, burrave ua vuri përpara një grua-hyjneshë Pandora, e dërguara e Zeusit, me kutinë e saj të të fshehtave, të cilat ishin katër: Gënjeshtra dhe vjedhja, sëmundja dhe vdekja. Ato lidhen me ndërgjegjen që duhet ruajtur dhe kuruar, por dhe me trupin e jetën që lyps të njëjtën përkujdesje dhe është e qartë përse ky mision nuk mund të kryhet nga njeriu me përjashtim gjinor. Kujdesi femëror është më shumë se shërbim, është një institucion i patjetërsueshëm për shkak të përmbajtjes, përkushtimit dhe ndjeshmërisë. Biseda në kopshtin e Edenit mes gjarprit dhe Evës është mjaft interesante. Gjarpri i dha kurajë që të hante mollën, perëndia nuk do që ju të vendosni sundimin në tokë dhe dënimi që erdhi nuk ishte se e shfajësoi Adamin. Eva mori barrën e lindjes ndërsa ai, detyrimin ekonomik që i dha edhe pushtetin në familje, ndaj është kuptimplote shprehja: “Të gjithë burrat janë Adam, por jo të gjithë Adamët janë mbretër”, që do të thotë se pushteti burrëror ishte ekonomik por nuk është pushtet shtetëror, aq më keq edhe me bekim hyjnor, së paku qysh nga viti 800 i Erës së Re, kur Papa Leo III kurorëzoi Karlin e Madh të Frankëve si mbret duke i vënë kurorën mbi krye. Në fe dhe civilizime të ndryshme pranimi i rolit dhe kontributit të gruas është i ndryshëm. Një gjë është themelore. Nëse në qendër të çdo besimi vihet njeriu dhe ushqehet humanizmi dhe jo autoritarizmi fetar, atëherë respekti për njeriun është i njëjtë pa bërë dallime gjinore. Fetë që paragjykojnë gruan dhe burrat e saj besimtarë, tradhtinë e kompensojnë me poligaminë, janë shoqëri që poshtërojnë femrën në misionin për t’u bërë grua dhe gruan në kryemisionin për të qenë një ditë nënë. Paragjykimi mashkullor është dobësi e tyre, jo e masës antropologjike femërore. Burri nuk është trim nga vetja. Ai sillet si i tillë për t’u treguar tek femra sepse i gjithë frymëzimi deri tek marrëzitë, është kjo vetëdëshirë për t’u dukur deri në posedim. Edhe absurdi mashkullor aq i shpeshtë është një vetëparagjykim për shkak të pafuqisë dhe mospërballimit të sfidës me substancën femërore. Brishtësia e saj e çarmatos “luftëtarin e ngarkuar” me paganizëm luftarak. Duket sikur “filozofia e butësisë” i ka “kromozomet” tek universi dhe aroma femërore, pa të cilën shoqëria nuk do të gjente as arsye, as frymëzim, as mjetet për t’u pjalmuar në gëzimin njerëzor! Gruaja historikisht nuk i ka pasur të drejtat dhurata ose produkt filantropik nga pjesa tjetër e shoqërisë. Ajo me universin e saj ka frymëzuar shoqërinë dhe pjesën mashkullore të provojë aftësitë për ndryshim dhe të merrte udhën drejt progresit. Nëse shumë përmirësime të tilla nuk janë bërë në kohë për gruan si; pjesëmarrja në punë, e drejta e votimit, prezenca në politikë, të qenit faktor në shoqërinë civile, në biznes, në shkencë, në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut etj; kjo ka prodhuar kostot negative, ngecje dhe relantim të ritmit për shoqërinë globale në çdo kohë dhe për realitetet lokale që takohen sot në shumë vende vazhdon ende fatkeqësisht t’i prodhojë. Përjashtimi i gruas nga jeta aktive apo anashkalimi e deri injorimi i saj, është nga humbjet më të mëdha dhe të pariparueshme të energjisë antropologjike në të gjitha kohërat, ku edhe do të duhet të kërkohet arsyeja bindëse përse jemi sot në këtë stad dhe jo në një më të përparuar. Duhet mbajtur në konsideratë edhe diçka tjetër! Në historinë botërore ka kontribute të gruas në të gjitha fushat, madje edhe në politikë, por jo gjithnjë të njohura apo të konsideruara në parametrat e nivelet e merituara.
Të jesh në politikë, si?!
Që prezenca në politikë të mos kufizohet artificialisht apo pengohet nga keqkuptimet, është e nevojshme që paraprakisht të definojmë konceptin politik. Ndryshe mund të ndodhë që të gabohet, duke vetëngushtuar hapësirat e aktivitetit. Termi “Politikë” vjen nga antikiteti grek dhe do të thotë, “arti i të drejtuarit të shtetit”. Elementet përbërëse, art-drejtim-shtet. Termi “art” nuk lë shkaqe keqkuptimi, sepse sjellja me shtetin dhe mekanizmin e tij është e ndërthurur me vlerat morale civile dhe me mekanizmin ligjor. Kuptimi mirëfilli është i lidhur me dialogun institucione-kryeinstitucionin njeri, që funksionon në saje të një arti krejt të veçantë; mirëkuptimit dhe vetëdijes që nuk mund të jetë kurrsesi urdhri! Frymëmarrja është bashkëpunimi, respekti, humanizmi. Të mendosh për Republikën, sqaronte Aristofani, do të thotë t’i përkushtohesh asaj duke u formuar si qytetar. Manifesti i parë për politikën është vepra e Aristotelit me të njëjtin titull “Politika”. Tingëllon edhe sot mjaft aktuale. Ka një vështrim antropoinstitucional me rrathë koncentrikë. Në qendër është njeriu (filozofi nuk bën dallim gjinor) dhe vijnë me radhë komunitetet më të gjera, familja, komuniteti qytetar, qyteti-shtet Polis. Të jesh sot në politikë do të thotë të jesh i përfshirë aktivisht në punët e shtetit në çdo fushë dhe aspekt të tyre. Kjo ka rëndësi sepse nëse politika identifikohet ngushtësisht vetëm me punët e pushtetit, atëherë të qenit në politikë vetëm si prezencë aktive në pushtet do të dëmtonte karizmën femërore dhe mund, siç edhe ka ndodhur tek ne që, një maskim i tillë në vend që të bëjë modelin e mirë të femrës aktive, hera-herës ka sjellë një model jo të tillë. Një mendje e thellë paradoksale si Oskar Wild është shprehur: “Kush thotë që fenimiliteti është një seks i dobët, burrat filozofë provojnë se është krejt e kundërta”. Më parapëlqen ta shoh këtë përcaktim nga substanca. Filozofi vlerëson mendimin, respekton arsyen, ligjësoren, adhuron thelbin, progresin që vjen nga një zhvillim historik. E nëse ky raport që ata afrojnë e provon fenimilitetin si shumë të fortë, do të duhet të ravijëzojmë një përfundim që të shpie jo tek përjashtimi. Mendimi nuk ka gjini dhe nuk ka seks, ndaj ai është njerëzor që gjithëpërfshin kontributin e çdo individi pa dallim gjinie. Arritjet si rezultat i investimit nga puna mendore, fal shkollimit, edukimit, kualifikimit dhe përvojës që lidhen me individin, nuk kanë gjini, nuk kanë seks. Vlerat e krijuara në saje të punës së gjatë, janë fryt i krijimtarisë të gjithsecilit, ndaj ato nuk janë as mashkullore, as femërore, janë njerëzore, intelektuale, erudite. Eksperienca njerëzore që vjen si një përvojë aplikative nuk ka gjini. Elitarizmi që vjen si produkt i vlerave të ndërtuara dhe të realizuara si dhe formimit të një niveli të lartë, nuk kanë gjini, nuk kanë seks. Ato krijohen me një investim të gjatë, me përkushtim, me punë këmbëngulëse dhe të lodhshme. Ndaj duhet të shkojmë në një përfundim thelbësor të gjithëpranuar se, historikisht në themel të Institucionalizmit është Elitarizmi. Ky binom nuk ka gjini, nuk ka seks sepse do të ishte budallallëk të thoshim, institucion me elitarizëm mashkullor dhe institucion me elitarizëm femëror. Ndarja, përjashtimi, bazuar në paragjykim racor, fetar apo gjinor është antidemokratike sepse në kuptimin antropologjik demokracia është “gjithëpërfshirje në mundësinë e vetëndryshimit”. Antropologjia femërore duhet të lëvizë e orientuar nga trinomi. Ji e përfshirë dhe kjo arrihet duke qenë i angazhuar në çdo kohë. Pasiviteti, pritshmëria, vetëfrustrimi, lutja apo përgjërimi, nuk të sjellin as atë që dëshiron, as atë që meriton. Kështu, je e bjerur në dinjitetin tënd njerëzor, je zhvleftësuar në vlerat femërore. Ji protagoniste me investim! Kjo do të thotë që “karburanti i ambicies” të mos të të shpjerë te egoizmi apo më keq akoma tek egocentrizmi, por të të orientojë tek “monopati i vetëdijes” dhe përgjegjësisë të investimit të gjatë në kohë, koherent në motive, të palëkundur në karakter dhe jo thjesht utilitar. Është fjala për një investim me impakt dhe produkt pozitiv në interes të komunitetit dhe shoqërisë. Fatkeqësisht ndodh që investimi të paraqitet thjesht si të qenit prezent, ndërsa si arritje faqet e CV-së. Ka rëndësi të artikulojmë jo thjesht se çfarë bëjmë, por njëherësh dhe çfarë prodhojmë si një vlerë e shtuar, si një ndryshim progresiv i prekshëm, i maturuar në kohë dhe i arritur si rezultat i një pune këmbëngulëse. Ji elitare me vlera të realizuara e të qëndrueshme, të matshme dhe të aprovuara nga institucione akredituese! “Ambicie pozitive, investim serioz dhe i gjatë, kurajë dhe mospërkulje përball sfidave”. Ky është principi filozofik që të fut dhe të mban në politikat shtetërore dhe shoqërore. Të tjerat janë make-up!
Orientimi nga
modeli - kthimi në
model për të tjerët
A ka modele pozitive nga mund të merret shembull në Shqipëri? Unë me bindje e them se ka, në të gjitha nivelet dhe në të gjitha profesionet, në qytete dhe në fshat, gra dhe vajza që shërbejnë si model pozitiv. Një grua, që më shumë se një ministër (nga të dy krahët politikë) mbetet fal profesionalizmit, drejtore e buxhetit, është një model. Një grua që është anëtare e komitetit ekzekutiv të “Organizatës Botërore të Mjekësisë” dhe ndjek gjendjen bakteriologjike në të gjithë Shqipërinë, e realizon Ph.D në Londër, është një model. Një mami anonime që ka pritur të gjithë fëmijët e familjeve në internimin e ferrit diktatorial, është një model! Një mësuese fshati, që për dy-tri dekada u ka mësuar fëmijëve shkrim e këndim, është një model! Një artiste që pak muaj pas humbjes së vajzës dhe dy javë më pas edhe vajzën e vajzës, vjen në një “akapela poetike” me rastin e 110-vjetorit të vdekjes së poetit kombëtar Naim Frashëri dhe reciton atje mes të tjerave edhe poezinë e tij me titull, “Vdekja e vajzës sime”, është një model i shkëlqyer i vlerave civile. Të gjitha ato nëna që edukojnë dhe rrisin fëmijë, ato gra që ruajnë dhe konsolidojnë familjen, që nuk lejojnë që ajo të prishet e që partnerët të mos shkojnë në divorc; ato gra që rrisin fëmijët me përkushtim edhe në rast fatkeqësie kur bashkëshortët vdesin, janë modele që nuk duhen lënë në hije. Gruaja është ajo luaneshë që e ruan me jetën strofullën dhe fëmijët e saj. Mua personalisht më shqetëson “metamorfoza” që pësojnë një numër i konsiderueshëm grash që kanë një emër dhe investim në shoqëri, të cilat, sapo përfshihen në jetën partiake dhe “vënë këmbën” në politikë përmes këtij “tuneli”, ndryshojnë jo për mirë. Të gjitha ato tipare të një sjelljeje joetike që vihen re tek burrat e partive dhe tek “kapedanët e tyre liderë”, sa hap e mbyll sytë, bëhen pjesë e retorikës dhe qëndrimeve të tyre në forumet e partive respektive si dhe në sallën e parlamentit. Ky është një proces që po na dëmton sepse kur iket nga modeli i mirë dhe gjehet streha, ke një shëmbëlltyrë që nuk vlen për model. E keqja është se sjellje të tilla, që shpesh kalojnë etikën civile dhe denigrojnë personalitetin e një tjetër gruaje që punon diku në një institucion me rëndësi, bëhen vetëm për t’i treguar liderit burrë në krye të partisë politike besnikëri, devotshmëri dhe gatishmërinë për një post në pushtetin ekzekutiv. Gra deputete huazojnë me zell terma fyese që dalin nga mendje “të lodhura” dhe “johigjienike” burrërore. Thuhet në parlament nga një burrë; “sillni gratë dhe motrat këtu, por unë nuk i zhvesh, le t’jua zhveshë kryetari juaj”; dhe gratë deputete të atij krahu politik heshtin, ndonjëra edhe skërmitet; por askush nuk doli të thoshte: “Unë jam grua, nënë, motër, nuk mund të lejoj fyerje të tilla që nuk kanë lidhje as me parlamentin, as me demokracinë, as me politikën, as me etikën më të thjeshtë normale, ndaj protestoj duke u larguar nga kjo sallë”! Evidentimi i modeleve pozitive në të gjitha profesionet dhe realitetet do të ishte një punë me vlerë për rrjetin e grave në Shqipëri, që tash ca muaj është pjesë e një rrjeti botëror që drejtohet nga Instituti Demokratik Amerikan. Unë, modestisht do t’u rekomandoja që të krijojnë hap pas hapi “Librin e grave modele” në të gjithë Shqipërinë dhe në fund të çdo viti ose në fillim të vitit të ri, të shpallen solemnisht se kush janë gratë e vitit. Kështu, modeli frymëzon modelet e reja që janë në proces e që kanë pak eksperiencë, por kanë nevojë për motivim, kanë interes të ndjehen të konsideruara. Nëse gratë dhe vajzat nuk e bëjnë një vlerësim të tillë për njëra-tjetrën, sipas modelit që prej kohësh është aktiv në nivel botëror, “gruaja për gruan”, atëherë do të duhet që mjerisht të pritet që vlerësimi të vijë nga burrat. Kam edhe një shqetësim. Duhet të dilet nga Tirana dhe nga qytetet e mëdha! Duhet lëvizur në të gjithë vendin, në provinca dhe në zona të largëta, sepse komoditeti i Tiranës mund të krijojë iluzione mbi të vërtetën dhe realitetin. Shopenhauri shkruan në veprën e tij “Bota si vullnet dhe përfaqësim” se: “E drejta që vjen nga arsyeja është e vërteta, e kundërta është gabimi”. “E drejta që vjen nga inteligjenca është realiteti, e kundërta është iluzioni”. Studimet serioze kanë nevojë për arsye që të jenë të vërteta, por se kanë nevojë edhe për realitetin që të mos jenë iluzive! Kur themi që gruaja të jetë prezente në politikë, le të mbajmë parasysh se ka politikë legjislative, ekzekutive, ligjore, mediatike, por ka edhe politika ambientale (është krijuar sot në botë nocioni dhe filozofia e gruas së gjelbërt), ka politika të edukimit të shëndetit publik, të marrëdhënieve me energjinë dhe teknologjitë, të marrëdhënieve me besimin dhe sekularizmin, ka politika të barazisë gjinore, të kulturës, të artit, të edukimit shkollor dhe mirërritjes së fëmijëve etj. Në të gjitha këto aktivitete gratë nuk mund të mos jenë prezente! Ato nuk kanë ardhur në jetë vetëm për të konsumuar politikë, por edhe për të prodhuar politika, shpesh më të suksesshme sesa burrat, më të konsoliduara, më realiste, më të sinqerta dhe më pak të korruptueshme!
Modelet ndërkombëtare dhe “Doktrina Hillary”
Ky 8 mars solli përmbylljen e 100 viteve nga ajo ditë kur protesta e vajzave dhe grave amerikane në atë fabrikë rrobash për të drejtat e tyre tronditi botën, duke anticipuar një rrjedhë tjetër për shoqërinë në tërësinë e saj. Me këtë rast, revista “News Week” e datës 14 mars botoi listën e 150 grave që kanë tronditur pozitivisht botën, si dhe paraqiti një studim për doktrinën ‘Hillary Clinton’. Ajo që të bie në sy është fakti që gra të tilla ka kudo në botë, ka në Europë dhe SHBA, ka në Amerikën e Jugut dhe Oqeani, ka në Lindjen e Mesme dhe në Azi, ka në Amerikën Qendrore dhe në Afrikë. Ka mes tyre disa gra të tilla protagoniste në politikën shtetërore, si Madelen Ollbrait, Kondoleza Rice, Hillary Clinton, Mishel Obama, Angela Merkel apo Dilma Rouseff; gruaja e parë presidente në Brazil. Por shumica janë nga aktivitete të tjera, që janë po aq të rëndësishme dhe që lidhen me politika gjithëpërfshirëse në shërbim të humanizmit, lirive dhe të drejtave të njeriut, demokracisë, prosperitetit dhe dinjitet njerëzor, medias dhe artit. Sharon Cooper - studion zhvillimin e trurit tek vajzat e trafikuara. Rola Dashti - gruaja e parë kuvajtiane që u regjistrua për të votuar. Anita DeFrantz -gruaja e parë e Komitetit Olimpik. Terry Greenblatt - aktiviste gjatë gjithë jetës për paqen në Izrael dhe Palestinë. Kamala Harris - gruaja e parë gjyqtare e lartë e Kalifornisë, lufton trafikimin e seksit. Ayaan Hirsi Ali - rriskon në ndeshjen ndaj shtypjes që i bëhet gruas myslimane. Hung Huang - e quajtur ndryshe Oprah kineze për influencën dhe arritjet. Beeban Kidron -kineaste që ka sjellë historinë e trafikimit në botë të seksit nga India Jugore. Betty Makoni - ka shpëtuar 35.000 vajza zimbabviane nga abuzimi seksual. Shada Nasser – ndihmon fëmijët nuse që t’ia mbathin nga martesat që u bëhen me zor. Charlotte Oades - drejton 5 nga 20 iniciativat globale për krijimin e 5 milionë sipërmarrjeve të grave. Ngozi Okonjo-Iweala - udhëheqëse politike nigeriane tani drejtuese në BB. Suraya Palzad - një grua e fortë që në mënyrë sekrete lexon edhe nën sundimin taleban. Marina Pisklakova Parker - ka ndihmuar 100.000 gra ruse t’i ikin dhunës në vend. Judith Rodin - drejton aktualisht fondacionin Rokfeller. Libby Spears - mbështetëse në vlerësimin e filmit për tregtinë e seksit me fëmijët në Amerikë. Meryl Streep - një aktore me famë botërore, por njëherësh një kampione agresive për të drejtat e grave. Gillian Tett - ka mbuluar tek “Financial Times” kolapsin ekonomik global. Oprah Winfrey - gruaja më e fuqishme në Tv - një kampione e plotfuqishme e gruas në të gjithë botën. Por edhe këtu në Shqipëri rrjetet e grave duhet të mbajnë lidhje dhe bashkëpunojnë me disa zonja si; ambasadorja dhe nën/ambasadorja e UK, me ambasadoren zvicerane, ambasadoren franceze, ambasadoren gjermane, ambasadoren çeke. Këto janë gra me karrierë të spikatur dhe investim të gjatë derisa kanë arritur në këto pozicione.
Doktrina “Hillary”
Zonja Hillary Clinton e ka vënë çështjen e grave dhe vajzave në kuadrin e krijimit të një rendi të ri botëror. Edhe ndryshimet e fundit në Afrikë, ajo i lidh me “imperativin kategorik” të përmirësimeve për gruan. “Unë besoj, - thotë ajo, - se të drejtat e grave dhe të vajzave janë një detyrë e rëndësishme e papërfunduar e shekullit të 21-të”. “Ne besojmë se gratë ishin atje në ‘Tahir Square’ dhe ato do të jenë pjesë e procesit vendimmarrës. Nëse egjiptianët janë me të vërtetë duke punuar për të pasur një demokraci, ata nuk mund lënë jashtë gjysmën e popullsisë. Që të formosh një doktrinë duhet punë, investim dhe rezultate”. Brenda 2 vjetëve si Sekretare e Shtetit - ka udhëtuar më shumë se çdo paraardhës, ka fluturuar 465.000 milje ajrore në 79 vende të botës. Kabina e saj në avionin ‘Boeing 757’ është një vend pune që shërben si zyrë, si vend leximi, si një shtëpi tjetër. Kjo grua lëviz përmes ngjarjeve të tilla të nxehta diplomatike për gjetjen e zgjidhjeve mes marrëveshjeve për luftën në Afganistan dhe Irak - tensionet me Korenë e Veriut dhe Iranin, procesi paqes mes Palestinës dhe Izraelit dhe së fundi, ngjarjet në Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme. Ka një aktivitet ku mund të thuhet se fillon ky investim. Është Konferenca e Pekinit në 1995 (Konferenca e IV botërore e OKB-s për gruan) ku zonja Clinton kryesonte delegacionin amerikan dhe ku ajo lançoi mesazhin: “Të drejtat e njeriut janë të drejtat e gruas dhe të drejtat e gruas janë një herë e përgjithmonë”. Programi i saj vjen në mënyrë lakonike në formulimin e saj: “Aq kohë sa vajzat dhe gratë janë më pak të vlerësuara, më pak të ushqyera, ose të ushqyera të fundit, janë të papuna, më pak të paguara, jo të shkolluara, subjekte të dhunës brenda dhe jashtë familjes. Aq kohë sa diskriminimi dhe pabarazia mbeten kudo në botë, potenciali i familjes humane për të krijuar një paqe të plotë dhe një botë të prospertë nuk mund të realizohej”. Paqja dhe prosperiteti nuk bëhen pa të drejtat e grave - ky është përfundimi që nuk lejon ekuivoke dhe dredhi. Doktrina është e besueshme kur shoqërohet me aksionin konkret dhe sjell zgjidhje të problemeve. Hillary Clinton është në 20 vitet e fundit e para Sekretare e Shtetit që viziton Jemenin dhe në takimin me gratë atje, ato i kërkojnë ndihmë për ndalimin e martesave të vajzave-fëmijë qysh nga mosha 9 vjeç. Është i njohur rasti i vajzës Nujood Ali, nga Jemeni, 11 vjeçe - çështja e saj u bë një problem global që ishte martuar forcërisht në këtë moshë. Zonja Clinton e ndoqi vet personalisht këtë çështje nga afër. Sot Nujood Ali i është kthyer shkollës. Në krah të zonjës Clinton, siç edhe ajo thotë, është zonja Melanne Verveer- ambasadorja për çështjet e gruas në rang global, një post ky që zonja Clinton insistoi që presidenti Barak Obama ta krijonte. Kur ajo ishte Zonja e Parë, Melanne Verveer ishte shefe e stafit e presidentit Clinton dhe asokohe e ndihmoi zonjën Clinton për të krijuar “Këshillin ndër-agjencial për gruan. “Thënia e Melanne Verveer është e thjeshtë, por shumë e qartë dhe sëmbuese. “Politika është parë në shumë shoqëri, përfshirë edhe këtë tonën, si një sport gjerësisht mashkullor - një ndeshje pa armë - dhe gratë janë shumë shpesh të injoruara të fitojnë apo të konsolidojnë pushtetin”. Sugjerimi i zonjës Verveer është se: Duhen aftësuar më shumë gratë për të pasur akses në të drejtat e tyre. Gratë të marrin pozicionet e tyre në shoqëri Të paraqitet se ç’mund të bëhet që më shumë gra të bëjnë rol lidershipi-në çdo aspekt të shoqërisë sonë. Në doktrinën Hillary për gratë në botë, parimi themelor është: “Të jemi të vërteta ndaj vlerave”. Aksioni është modeluar në diagramin: “Të vijojmë të qëndrojmë që ato që janë ende vulnerabël, të dalin nga kjo gjendje ose nga margjinalizimi”. “Është cinizëm ekstrem nëse nuk vlerësohen potencialet globale të gruas dhe vajzës”. Promovimi i gruas në politikë në Shqipëri nuk del nga steriliteti i shifrave 30% prezencë apo aq % më shumë, që dëgjojmë këto ditë prag-zgjedhjesh lokale të artikuluara, herë nga burra që vetëm ndjeshmëri femërore nuk emitojnë, herë nga gra që për të rritur peshën specifike të gjëmimit në foltore, marrin pozicione “burrneshash” të veshura me rroba luksi të modës më të fundit. Ja ca shifra që ata/ato duhet të dinë: “Për vitin fiskal 2012, në SHBA janë kërkuar 1,2 miliard $ për programe special të targetuara tek gratë, 832 milion $ e të cilave do të shkojnë drejt iniciativave globale për shëndetin”! Fondet thithen me programe serioze dhe me rreshtime në rrjete lokale, rajonale, kontinentale e globale, kjo është sfida juaj nëna e motra për t’u promovuar në politikë! Por përpara se të kërkoni jashtë vendit fonde, kujdesuni që kur hartohet ligji për buxhetin e shtetit, “të buçisni” që të identifikohen me shifra dhe % GDP, se sa para të taksapaguesve shqiptarë adresohen në mënyrë eksplicite për JU!
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›