E Diel, 1 Nëntor 2026

Vritet me 2 plumba kallashi Projet Abazi, vëllai i deputetit

03/05/2011  Sherri pasi fitoi shumë para në kazino, përjashtohet motivi politik

LAÇ- Pasi fitoi një sasi të madhe parash, vëllai i deputetit Sadri Abazi u ekzekutua dje dy plumba automatiku në kokë, teksa ndodhej në të dalë të një kazinoje. Burime nga policia e këtij qarku thanë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 21.00 të ditës së djeshme, kur Projet Abazi, 42 vjeç, i martuar me dy fëmijë, u qëllua me armë zjarri tip kallashnikov nga një person që ndodhej gjithashtu në të dalë të lojërave të fatit. Që në fillim burimet policore e përjashtuan kategorikisht motivin politik të këtij ekzekutimi, duke thënë se “Ngjarja ka ndodhur për motive banale dhe policia përjashton mundësinë e vrasjes për shkak të fushatës politike”. Sipas dëshmitarëve, Abazi kishte fituar një sasi të madhe lekësh dhe aty ka nisur i gjithë sherri. Autori i ngjarjes ka debatuar ashpër me viktimën, teksa thelbi ka qenë mënyra e fitimit të sasive të madhe të parave. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forca të shumta policore, të cilat rrethuan zonën, por pa mundur dot të arrestojnë autorin e ngjarjes, i cili është identifikuar dhe u shpall në kërkim. Abazi ka ndërruar jetë menjëherë në vendin e ngjarjes, pasi u qëllua me 2 plumba automatiku dhe plagët ishin të rënda. Vëllai i deputetit socialist ishte biznesmen ndërtimi në kryeqytet, teksa në pronësi të tij, përveç godinave të tjera, është një lokal tek rruga “Jordan Misja”, si dhe një lavazh tek “Zogu i Zi”. Ai njihej si frekuentues i rregullt i kazinove.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›