E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gruaja vret burrin 2 javë pas dasmës

Autori i Lajmit: red.
Vret burrin me thikën e bukës në prani të familjarëve dy javë pas martesës. Krimi në familje trondit për të katërtën herë brenda muajit familjet shqiptare. Ngjarja e rëndë ka ndodhur dje në në Bregun e Lumit në periferi të Tiranës. Gruaja ka vrarë me thikë, për motive të dobëta, bashkëshortin e saj. Burime zyrtare nga policia bënë të ditur se 32-vjeçarja Vitore Doda ka qëlluar me thikë mbi bashkëshortin e saj, Marash Doda, 33 vjeç. Sipas të njëjtave burime mësohet se gjithçka ka ndodhur në prani të familjarëve të të dy bashkëshortëve. Ata kanë rrëfyer në polici se të rinjtë ishin martuar vetëm dy javë më parë, ndërsa dje kishin vendosur të ndaheshin, pas disa mosmarrëveshjeve. Pikërisht ky moment është shoqëruar nga debate mes bashkëshortëve dhe gjithçka ka degjenuar në goditjen fatale me thikë nga ana e Vitore Dodës që ka lënë të vdekur 33-vjecarin. Bashkëshortja është arrestuar dhe ka dëshmuar në polici për vrasjen. Burimet nga policia bëjnë të ditur se 32-vjeçarja ka pranuar krimin dhe ka pohuar se gjithçka ishte çështje e momentit dhe se nuk e kishte menduar më parë, megjithëse ka pranuar se mes çiftit kanë ekzistuar kontradiktat që ditët e para pas dasmës. Ndaj saj ka nisur procedimi penal, ndërsa materialet i kanë kaluar për hetim Prokurorisë.
Ky lajm është publikuar: 26/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›