E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrezik në pikat e shitjes së gazit

Autori i Lajmit: red.
Një shpërthim ka ndodhur në qendër të qytetit të Korçës duke krijuar panik dhe dëme materiale në dyqanin me bombola gazi ku ndodhi incidenti. Ngjarja ka ndodhur në njësinë tregtare që ndodhet pranë Qendrës Sanitare, te vendi i njohur si “Trekëndëshi”. Mësohet se është shkatërruar plotësisht nga shpërthimi dyqani që shiste bombola gazi të lëngshëm, një shtëpi pranë tij si dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme në disa njësi tregtare përreth dhe janë thyer xhamat e qendrës mjekësore. Policia dhe një grup forcash të Repartit të Mbrojtjes kundër Zjarrit kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë rrethuar zonën e rrezikut, por edhe pas shpërthimit të parë, pati tre shpërthime të tjera më të vogla, që nuk përjashtohet të vazhdojnë.
Shpërthimi
Shpërthimi i një bombole gazi në një pikë tregtimi brenda qytetit të Korçës ka sjellë dëmtimin e dy lokaleve dhe të një banese private duke rrezikuar edhe jetë njerëzish. Në orët e paradites të së hënës, në vendin e quajtur " Trekëndëshi" përgjatë bulevardit "Fan Noli" të qytetit të Korçës, tri shpërthime të njëpasnjëshme kanë tronditur jo vetëm kalimtarët e rastit, frekuentuesit jo të paktë të lokaleve aty pranë, por edhe banorët. Ka qenë afërsisht ora 09.30, kur midis dy lokaleve tip kioska ku tregtohen edhe bombola gazi, ka ndodhur shpërthimi i shoqëruar me flakë dhe hedhje në distancë të pajisjeve nga presioni.
Shkaku
Një shkëndijë që ka shkaktuar shpërthimin e një bombole gazi brenga lokalit të tregtimit, ka provokuar edhe dy shpërthime të tjera të njëpasnjëshme që kanë krijuar një vatër zjarri, e cila dëmtoi dy lokale dhe një banesë private. Falë ndërhyrjes së shpejtë të mjeteve zjarrfikëse në këtë zonë janë shmangur pasojat e mëtejshme të dëmeve në mjete materiale dhe në njerëz. Rreziku i shpërthimit të të gjitha bombolave në pikën e tregtimit të tyre ka qenë mjaft evident, por shërbimi i zjarrfikësve dhe policia izoloi zonën, duke ndërhyrë menjëherë për shuarjen e zjarrit. Dëshmimtarë të rënies së këtij zjarri nga shpërthimi i bombolës së gazit thanë se rrezja e shpërthimit ka qenë afro 100 metra dhe ka prekur edhe një lokal përballë pikës së tregtimit të bombolave të gazit. Burime të policisë së Korçës thanë se nuk ka të lënduar nga shpërthimi i bombolës së gazit, por vetëm dëme materiale. Për afro një orë, mjetet zjarrfikëse ia kanë dalë që të shuajnë zjarrin dhe të shmangin pasojat e mëtejshme të tij në lokalet dhe banesat pranë.
Dëmi
Dëmi më i madh është shkaktuar në pikën e tregtimit të bombolave të gazit, por flakët kanë përfshirë edhe një banesë private dhe një automjet të parkuar aty pranë në kohën kur ndodhi shpërthimi. Sipas hetimeve të para që ka kryer policia në vendngjarje, shkak i shpërthimit ka qenë një shkëndijë në pikën e tregtimit të bombolave të gazit. Më shumë sesa dëmet që ka shkaktuar shpërthimi i bombolës së gazit dhe shfaqja me pasoja e zjarrit, kjo ngjarje ka risjellë edhe një herë në vëmendjen e drejtuesve të pushtetit lokal masat që duhet të marrin jo vetëm për parandalimin e rreziqeve në pikat e tregtimit të gazit të lëngshëm në qytet, por edhe për kushtet në të cilat ai tregtohet.

Ky lajm është publikuar: 26/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›