E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gruas së aksidentuar i gjendet një pistoletë

Shkodër - Aksidentohet një 55-vjeçare nga fshati Kosmaç i Shkodrës, ndërsa në trup i gjendet dhe një armë zjarri pistoletë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:15 të së mërkurës në vendin e quajtur Kryebushat, kur një automjet kamionçinë që vinte nga Shkodra ka përplasur duke e ndeshur me pasqyrë 55-vjeçaren Fatbardha Mustafa, e cila po lëvizte në këmbë.

Mjeti është ndaluar dhe të dëmtuarës i është dhënë ndihma e parë duke e dërguar në spitalin e Shkodrës. Aty është konstatuar se e dëmtuara mbante me vete një armë zjarri pistoletë.

Futja në sallën e operacionit nuk e ka shpëtuar atë, duke ndërruar jetë. Policia ka kryer veprimet dhe thekson se lidhur me armën e gjetur në trupin e së dëmtuarës do të nisë hetimet. Ndërkaq, të afërm të saj bëjnë të ditur se 55-vjeçarja lëvizte gjithmonë me armë për shkak të një konflikti pronësie që kishte familja e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›