Peshkopi, humbet një person nga bora e madhe
PESHKOPI- Trashësia e madhe e borës në fshatrat e Peshkopisë ka bërë që një person të mos gjendet pre 5 ditës. Shtetasi Hysen Leka rezulton i humbur prej 5 ditësh qëkurse rënia e dëborës u dendësua duke arritur mbi 1 metër.
Sipas informacioneve nga ana e drejtorisë së policisë në Dibër kanë qenë të afërmit e 34- vjeçarit nga fshati Zall-Rec që kanë njoftuar në polici, duke rrëfyer dhe largimin e të afërmit të tyre nga shtëpia ku banonte. Ai ka dalë nga shtëpia mëngjesin e datës 3 janar për të kryer një vizitë tek mjeku stomatolog, por nuk është kthyer më në shtëpi.
Familjarët kanë kërkuar ndihmën e policisë lokale për të mundësuar gjetjen e tij. Zëdhënësi i drejtorisë së policisë së Qarkut Dibër tha se forcat policore janë vënë në kërkim të 34- vjeçarit prej disa ditësh.
Ky është viktima e dytë e borës pas 46 vjeçarit që vdiq dje në qytetin e Pukës.
Fshatra të tërë në veri të vendit si në Pukë, Mirditë, Kukës, Tropojë, Dibër, Mat, Malësi e Madhe janë totalisht të bllokuara nga reshjet e dëndura të borës. Po kështu dëborë e madhe ka rënë edhe në zonat e thella të jugut si në Korçë, etj.
Situata në Peshkopi dhe Bulqizë
Rovena Tomçini, specialiste e Rendit dhe Emergjencave Civile në Prefekturën Dibër tha për mediat se komunat Zallë-Reç, Lurë e Selishtë në rrethin e Dibrës, Trebisht në rrethin e Bulqizës dhe Xibër në rrethin e Matit vazhdojnë të jenë të bllokuara. “Sipas njoftimeve të marra nga drejtoria e rrugëve rurale Dibër vazhdon puna për hapjen e rrugës në drejtim të komunës Selishtë, Zallë-Reç dhe Lurë. Janë disa fadroma të siguruara nga subjekte të ndryshme private që po punojnë për të mundësuar hapjen e rrugëve që lidhin këto komuna”, pohoi Tomçini.
Ndërkohë në rrethin e Bulqizës vazhdon puna për hapjen e rrugës në drejtim të Trebishtit. Deri më tash është bërë e mundur zhbllokimi i Martaneshit dhe Ostrenit, por ka ende fshatra që vazhdojnë të mbeten të izoluar si ajo në drejtim të Klenjës. Drejtoria e rrugëve rurale Mat ka sqaruar se janë hapur rrugët në drejtim të komunave Derjan e Macukull, por jo në drejtim të Xibrit.
Helikopterë me ushqime
Për disa fshatra të izoluar prej 5 ditësh nga dëbora e shumtë e rënë në qarkun e Dibrës, janë dërguar ndihma përmes ajrit me helikopterë të ardhur nga Tirana. Kështu helikopterët me ndihma kanë fluturuar në drejtim të Lurës, Kala e Dodës, Martanesh, Ostren, Macukull e Xibër të Qarkut Dibër. Xhafer Seiti, prefekt i këtij qarku, tha se kryetarët e organeve të qeverisjes vendore janë porositur që ndihmat në ushqime të shpërndahen për familjet më në nevojë, kryesisht për familjet e varfra që nuk kanë pasur mundësi të sigurojnë rezerva dimërore.
Bëhet e ditur se ndihmat janë dërguar në ekstreme të këtyre rajoneve aty ku dhe dëbora ka kaluar një metër dhe fshatrat janë totalisht të izoluar.