Mirditë, grupi i gatshëm del në rrugë me një polic
Mirditë-Gjithë shërbimet janë me gjysmë efektivash në Komisariatin e Rrëshenit, të rrethit Mirditë. Kjo deficencë shihet edhe tek grupi i gatshëm që jo pak herë reduktohet me shoferin e furgonit dhe një polic. Kjo natyrisht ka patur impaktin e vet ndër qytetarë. Kohet e fundit ka pasur prishje sistematike të rendit e qetësisë, madje dhe reagime të dhunshme nga persona të ndryshëm ndaj policisë vendore. Ky komisariat ka dalë thuajse jashtë loje me këtë numër të reduktuar policësh. Ndërsa për qytetin e Rubikut nuk bëhet fjalë tashmë pasi një postë policie që ishte, qëndron e mbyllur prej muajsh.
Ata që janë shkurtuar nga puna jo vetëm që kanë humbur të gjitha shpresat për tu veshur sërish siç iu ishte premtuar por nuk kanë marrë as asistencën. Shumë nga efektivat blu të komisariatit të Mirditës që kanë dalë në asistencë prej 2-vitesh nuk kanë marrë asistencën. Duke mos dashur të identifikohen me emra, ata thanë për Shekullin se vitin e ri e kanë kaluar me borxhe dhe se që prej daljes së tyre nga radhët e policisë ndjehen ngushtë financiarisht.
Edhe pse u është premtuar, askujt nga të dalurit në asistencë nuk u është dhënë shpërblim për festat e fundvitit dhe jo vetëm kaq, por jo të gjithë këtyre efektivave u është dhënë asistenca mujore. Vetëm një pjesë prej tyre ka mundur t’i gëzohet asistencës për të përballuar shpenzimet festive. Është një numër i madh policësh të nxjerrë në asistencë që prej dy vitesh, ndërsa kanë dhe një vit tjetër sipas ligjit për t’u asistencuar.