E Diel, 1 Nëntor 2026

Gruas së vrasësit iu dha mbrojtje policore

Policia: Nuk ka pasur denoncim. Palët kanë deklaruar se e kishin zgjidhur konfliktin

Pas pretendimeve të Xhevahir Mullirit, babait të tre djemve të vrarë në fshatin Vidohovë të Devollit, se vrasja nuk u parandalua nga policia, kjo e fundit bën të ditur se djemtë e familjes Mulliri dhe as babai i tyre nuk kanë bërë denoncim në policinë lokale. Zyrtarë të lartë të Policisë së Korçës kanë thënë për gazetën “Shqip” se çështja është bërë e njohur për uniformat blu tetorin e vitit të kaluar. Policia e ka mësuar historinë rozë prej Tinës, bashkëshortes së Besim Karajt, e cila në atë kohë kishte kërkuar ndihmën e policisë nga frika se i shoqi mund ta vriste prej xhelozisë. Sipas burimeve policore, gruaja me anë të një vendimi gjykate arriti të marrë urdhër mbrojtjeje. “Ajo është mbrojtur nga policia për tri ditë. Më pas është rikthyer në shtëpinë e saj, pasi situata ishte disi më e qetë. Kur është kthyer në banesë, bashkëshorti i ka kërkuar divorcin dhe ata nisën gjyq për zgjidhje martesore. Por në mes të seancave gjyqësore, çifti është pajtuar dhe kanë anuluar procedurat e divorcit”, sqarojnë burimet e policisë. I njëjti burim sqaron se pas kthimit të vajzës në fshatin e saj, palët janë thirrur nga inspektori i zonës. “Palët ishin pajtuar. Ata kanë rënë dakord dhe kanë deklaruar se nuk kishin probleme me njëri-tjetrin. Megjithatë duhet thënë se nga ana e viktimave ka pasur një ankesë, për faktin se ndiheshin ende në panik për një hakmarrje të mundshme nga Besim Karaj. Inspektori i zonës i ka thirrur sërish të dyja palët, të cilët kanë deklaruar se nuk kishin asnjë pretendim ndaj njëri-tjetrit. Familja Mulliri nuk ka bërë denoncim me pretendimin se i kishin zgjidhur punët me Besimin dhe se ishin pajtuar”, thonë burimet policore.
Ndërkaq zbardhen të tjera detaje të masakrës të tri ditëve më parë në fshatin Vidohovë. Tre vëllezërit Mulliri dyshohet se kishin planifikuar të përballeshin me Besim Karajn. Ndryshe nga herët e tjera, kur ata shmangnin lagjen e sipërme të fshatit ku banonte Besimi, të premten e kaluar ata janë gjendur përpara lokalit ku rrinte autori. Dyshohet se të rinjtë kishin planifikuar të ziheshin, pasi me vete u janë gjetur doreza, ndërsa Taulantit një thikë. Tre viktimat kanë shkuar rreth orës 12.30 të së premtes para vendit ku ndodhi masakra. Ata nuk kanë hyrë fare në lokal, por Besimi i ka pikasur dhe u është afruar. Ndërsa ka kuptuar se djemtë kishin ardhur për sherr, nuk e ka zgjatur shumë dhe ka shkuar në banesë, nga ku ka marrë armën. Besimi është kthyer dhe fillimisht i është drejtuar djalit të vogël të familjes Mulliri, Edlevanit me fjalët: “Largohu se me ty nuk kam punë”. Por vëllai i vogël ka tentuar të mbrojë Taulantin. Ky i fundit është qëlluar i pari, fillimisht në këmbë dhe më pas në gjoks e kurriz, ndërsa plumbat kanë kapur edhe 18-vjeçarin që kishte tentuar të mbronte vëllain e tij, duke iu lutur “Mos ma vrit vëllain”. Ndërkohë që Xhiljani ka tentuar të largohet me vrap, Besimi e ka ndjekur dhe qëlluar me breshëri plumbash. Vrasësi ka qëndruar për 20 minuta në shesh pranë kufomave dhe më pas ka shkuar në shtëpinë e tij, ka puthur fëmijët dhe është larguar me shpejtësi për t’i shpëtuar policisë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›