E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami: Në PS ka mjaft personalitete që janë kundër bojkotit

TIRANË- Deputeti i PS-së, Kastriot Islami, nuk është ndër të paktët deputetë të opozitës, që kërkon thyerjen e bojkotit ndaj Kuvendit. Në një deklarim për mediat, vetëm pak minuta para se të bëhej pjesë e seancës së djeshme parlamentare, Islami ka deklaruar se, përveç tij dhe Harasanit, në PS ka edhe personalitete të tjera që mendojnë ndryshe. “Unë edhe personalisht, gjë që e kam bërë vazhdimisht gjatë gjithë kësaj kohe, doja të jepja një mesazh që edhe në opozitën shqiptare unë, kolegu im Harasani, por dhe të tjerë që mendojnë në këtë mënyrë, duam tu japim mesazhe partnerëve tanë ndërkombëtar se ka në Partinë Socialiste mjaft personalitete që rrezonojnë me mesazhet e ndërkombëtarëve, që kanë profil europian dhe kanë sjellje të standardeve europiane. Pra, të mos krijohet imazhi për PS që vetëm kundërshton, jo vetëm vendimet në Shqipëri, por edhe kundërshton të gjitha mesazhet që vijnë nga partnerët ndërkombëtarë”, - tha dje Islami. Ish-ministri i Jashtëm theksoi se vendimi i Brukselit i thoshte jo bojkotit dhe se PS-ja duhet të merrte pjesë në Kuvend, në funksion edhe të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. “Ky moment i sotëm është edhe një reflektim dhe një rrezonim edhe me mesazhin që u dha dje në Bruksel, gjatë takimit të delegacionit shqiptar me Parlamentin Europian, ku u dhanë mesazhe shumë të qarta, në mënyrë të veçantë për bojkotin, pra për ndërprerjen e bojkotit dhe për vendosjen e një bashkëveprimi, bashkëpunimi dhe negocie mes forcave politike sidomos në funksion të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Është një moment, do ta thosha, i rëndësishëm dhe unë kam shpresë që shumë shpejt të 66 deputetët e opozitës do të jenë në Kuvend, për të kryer atë detyrë që kanë marrë përsipër gjatë marrjes së mandatit nga votuesit e majtë, që duan që PS-ja ashtu si gjithmonë të jetë një forcë politike që e shpalos veprimin e saj opozitar në mënyrë inteligjente, institucionale në Kuvendin shqiptar, por njëkohësisht edhe përmes mënyrave të tjera që mund të jenë, mënyrat e protestimit...Por thelbi është që ka një opozitë të fuqishme, që duhet ta thotë fjalën e saj në Kuvendin shqiptar...”, - tha ai. Pavarësisht thirrjes së tij, Islami mori pjesë vetëm në fillim të seancës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›