Kushtetuesja: Ilir Beqja pa mandat, përfitoi nga fondet publike
TIRANË- Ilir Beqja nuk do të jetë më deputet i qarkut të Shkodrës. Gjykata Kushtetuese pranoi dje në mesditë kërkesën e 16 deputetëve demokratë, për shpalljen si të papajtueshëm të mandatit të deputetit Ilir Beqja me Kushtetutën, për shkak se kompania ku ai është ortak me 51% të aksioneve kishte përfituar nga tenderët me fondet publike. Zbardhja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe botimi më pas i saj në Fletoren Zyrtare, do t’i hapë rrugë përfshirjes në Kuvend të kandidates vijuese për deputete në listën shumëemërore të Partisë Socialiste për qarkun e Shkodrës, Paulina Hoxhaj.
Kërkesa
Gjithçka ka nisur me iniciativën e një grupi deputetësh demokratë, në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, të cilët (thuajse një vit më parë) hartuan një raport ku me pak fjalë thuhej se kompania ku deputeti Beqja ishte aksioner kishte përfituar fonde publike në muajin tetor të vitit 2009, kohë kur sipas demokratëve, Beqja kishte marrë mandatin e deputetit. Në tetor të vitit 2009, socialistët nuk kishin hyrë ende në Kuvend dhe për pasojë nuk ishin betuar si deputetë të kësaj legjislature. Për këtë arsye, Ilir Beqja deklaroi asokohe se aktiviteti i kompanisë së tij ishte zhvilluar në kohën kur ai nuk ishte deputet. Por demokratët cituan një tjetër nen të Kushtetutës, nenin 71/1, ku thuhet se mandati i deputetit fillon ditën që ai shpallet i zgjedhur nga komisioni përkatës i zgjedhjeve, pra KQZ-ja. Demokratët argumentuan se deputeti Ilir Beqja ishte ortak me 51 % të aksioneve në shoqërinë INTECH+. Kjo shoqëri kishte marrë pjesë në tenderin e datës 22.10.2009, për të fituar më pas dhe lidhur kontratë me Bashkinë Durrës. Për rrjedhojë, Bashkia Durrës i kishte paguar kësaj shoqërie, në këmbim të ushtrimit të veprimtarisë së saj, shumën 24 240 000 lekë. Duke iu referuar këtyre fakteve, demokratët cituan gjithashtu se sipas nenit 70, pika 3 e Kushtetutës, deputeti Ilir Beqja nuk mund të kryente asnjë veprimtari fitimprurëse, që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor. Deputetët nënshkrues të kërkesës arsyetuan se meqenëse deputeti Ilir Beqja ka shkelur këtë pikë të nenit 70 të Kushtetutës, mandati i tij është i papajtueshëm me detyrën e deputetit. Edhe pse vendimi nuk është zbardhur ende, Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtë argumentit sa më sipër të PD-së, duke vendosur mbarimin e mandatit të Ilir Beqës. Votimi i raportit për Ilir Beqën, thuajse një vit më parë në Kuvend, hapi një tjetër debat mes juristësh nëse duhej votim i fshehtë apo i hapur. Kjo edhe për një tjetër arsye se, nga mazhoranca për votimin e këtij raporti kishte jo pak rrjedhje votash. Gjatë votimit të hapur të raportit për Ilir Beqën, abstenuan deputetët aleatë të PD-së, Lefter Koka dhe Dashamir Tahiri. Ndërsa deputeti tjetër, Shpëtim Idrizi, bashkoi votën me opozitën kundër heqjes së mandatit. Për pasojë, raporti i Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve, për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për të interpretuar papajtueshmërinë e mandatit të deputetit socialist, Ilir Beqja, me Kushtetutën u votua me 70 vota pro, 67 kundër dhe 2 abstenime.