Gruevski: Bisedimet vazhdojnë, do zgjidhet çështja e emrit
Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski ka folur mbi zhvillimet politike në vend, çështjen e emrit, bojkotin e PDSH-së dhe kërkesat e nxënësve shqiptarë. Duke iu referuar çështjes së emrit, Gruevski tha se bisedimet për emrin janë proces i vazhdueshëm. "Bisedimet me Greqinë për emrin me ndërmjetësimin e Metju Nimicit janë proces i vazhdueshëm, dialog i vazhdueshëm në të cilin ne marrim pjesë, japin kontribut dhe shpresojmë se do të gjenden forca dhe mënyra që të arrihet deri te ndonjë zgjidhje", tha Gruevski. Për kryetarin e Qeverisë, vendimi i PDSH-së për largimin nga Parlamenti nuk është shumë i mirë. "Esencialisht, nuk është mirë të largohen nga Parlamenti PDSH-ja. Ky nuk është vendim shumë i mirë, por është vendim i kësaj partie dhe unë nuk do të ndërhyj. Vetëm mund të them se nëse do ta mendojnë më shumë këtë gje, do të kuptojnë se është më mirë të kthehen në Parlament. Kjo do të ishte më e mirë për ta dhe Republikën e Maqedonisë", deklaroi Gruevski. Pyetjes së gazetarëve për protestën e prindërve dhe nxënësve shqiptarë për regjistrim në paralele të mjekësisë, kryeministri konsideron se është bërë maksimumi dhe se u janë realizuar kërkesat. "Ministria e Arsimit dhe Shkencës u doli në ndihmë prindërve dhe nxënësve, dhe bëri disa lëshime. Mendoj se të gjithë në qeveri dakordohen se është bërë maksimumi dhe në njëfarë mënyre janë respektuar kërkesat e tyre. Unë besoj se gjithcka do të rregullohet", tha Gruevski.