Gruevski: Dua Korridorin Tetë me Shqipërinë
Kryeministri maqedonas paraqet në Parlament programin e qeverisë. Objektiv madhor, zhvillimi i Korridorit Durrës-Bullgari
Korridori Tetë do të jetë një nga objektivat madhorë për Qeverinë e Maqedonisë. Kryeministri Nikola Gruevski, deklaroi së fundmi në Parlamentin maqedonas, gjatë prezantimit të kabinetit të ri qeverisës, se lidhja antike me Shqipërinë dhe Bullgarinë do të kompletohet me të gjithë komponentët e infrastrukturës moderne. Javën e kaluar, Maqedonia përuroi përfundimin e Unazës së Shkupit, një hallkë e rëndësishme e Korridorit PanEuropian Nr.8, pasi lejon lidhjen nga Shqipëria për në Sofje, duke shmangur trafikun nëpër rrugët e kryeqytetit. Maqedonia shpreson se zhvillimi i lidhjes lindje-perëndim do ta shpëtojë nga varësia ekonomike e Greqisë dhe Serbisë, si dhe do të hapë rrugë drejt zhvillimit të vendit për tregtinë dhe transportin. Aktualisht, Maqedonia po përfundon së ndërtuari një lidhje Interkonjeksioni për energjinë elektrike me Bullgarinë, duke hequr varësinë nga rrjeti i vjetër i ish-Jugosllavisë, sot nën kontrollin e Serbisë. Maqedonia sheh gjithashtu Portin e Durrësit dhe atë të Vlorës, si portet më të afërta për tregun e saj bazë, Maqedoninë Perëndimore. Shkupi shpreson që të gjejë një alternativë për Portin e Selanikut, për shkak të problemeve të vazhdueshme që ka patur me Greqinë gjatë dy dekadave të fundit.
Korridori Tetë, tani privat
Korridori PanEuropian Nr.8, që lidh portet shqiptare me portet bullgare, ka mbetur jashtë financimeve të Bashkimit Europian, kryesisht për shkak se BE i ka përqendruar fondet në lidhjet infrastrukturore me Poloninë, Rumaninë e Rusinë. Pavarësisht kësaj, gjatë viteve të fundit është shtuar interesi i korporatave të ndryshme kombëtare për të realizuar projekte zhvillimore që lidhen me Ballkanin e Jugut. Ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës, e cila në një farë mënyre është paralele e Korridorit Tetë, mund të rrisë qarkullimin e mallrave edhe në drejtim të Shkupit. Ndërkohë, kompani të ndryshme kanë shprehur interes për të marrë me koncesion ndërtimin e një lidhjeje hekurudhore mes Shqipërisë dhe Maqedonisë. Rrjeti shqiptar i hekurudhave, i cili nuk ka as edhe një kilometër të elektrifikuar, gjithsesi gjendet deri dy kilometra larg kufirit Maqedonas, por në pjesën Maqedonase mungojnë rreth 50 kilometra deri te lidhja më e afërt hekurudhore në Kërçovë. Për lidhjen me Bullgarinë, mungon gjithashtu segmenti Sofje-Shkup, me gjatësi 164 kilometra, që nuk është ndërtuar kurrë.
Prishtina shpreson se me ndërtimin e kësaj autostrade nga Shqipëria për në Serbi, do të përfitojë tregti rajonale
Kosovë, shpresë për autostradën Vërmicë-Merdare
Qeveria e Kosovës pranoi së fundmi se nuk është në gjendje të nisë punimet për superprojektin e autostradës që duhet të lidhë Shqipërinë me Serbinë, duke përshkruar të gjithë territorin e shtetit të ri, kryesisht për shkak të mungesës së fondeve. Zëvendësministri i Transporteve në Kosove deklaron se pavarësisht shtyrjes së punimeve do të bëhet gjithçka për të filluar punën vetëm në një pjesë të këtij segmenti nga Vërmica në Prizren. Por Ministria e Transportit ka në plan edhe fillimin e një autostradë të re, e cila do të lidhë Prishtinën me Shkupin, për të vazhduar më tej drejt Selanikut. Segmenti rrugor që nis në Vërmicë e përfundon në kufi me Serbinë, në Merdar, do të jetë i gjatë 118 km. Përgjatë kësaj rruge parashikohet dhe ndërtimi i tunelit 5 kilometra të gjatë.
Në maj të këtij viti, një kompani private dorëzoi solemnisht projektin e autostradës që pritet të kushtojë plot 650 milionë euro. Kompania që hartoi projektin, ia dorëzoi atë ministrit të Ministrisë së Transportit dhe Post-Telekomunikacionit, Qemajl Ahmeti. Nga ana e tij, ministri Ahmeti ka thënë se, tash puna për realizmin praktik të autostradës i mbetet kësaj ministrie dhe vetë Qeverisë së Kosovës.
Ministri Ahmeti ka bërë të ditur se autostrada, në vijën e saj të shtrirjes, do të prek 64 për qind të pronës private dhe 35 të asaj publike. “Jemi shumë optimistë se, nëse nuk kemi probleme të mëdha gjatë shpronësimit, trasetë do të fillojnë këtë vit, por krejt do të varet si do të gjendemi me mjetet financiare”,- ka thënë tha Ahmeti.
Ende nuk është përcaktuar çmimi i shpronësimeve të tokave private nga do të kalojë traseja e rrugës, por ministri Ahmeti ka premtuar se shpronësimet do të bëhen konform ligjit, përkundër spekulimeve se që tani ka nisur tregu i përfitimeve nga tokat ku do të kalojë autostrada e re. “Kushdo që do të blejë tokë, është punë e tij se çka paramendon, por shpronësimi do të bëhet konform ligjit për shpronësim”. Megjithatë, ligji për shpronësim ende nuk është miratuar nga Kuvendi i Kosovës edhe pse, tash e sa muaj, gjendet në procedurë dhe se leximi i parë ka kaluar në Kuvend vitin e kaluar.