E Diel, 1 Nëntor 2026

Gruevski në krizë, PDSH ikën nga qeveria

Qeveria e Maqedonisë hyn në një krizë të thellë, pasi Partia Demokratike e Menduh Thaçit mori vendimin për t‘u larguar nga kabineti. Që prej ditës së sotme, Shkupi do të drejtohet nga një etni, ajo maqedonase, pikërisht dy javë para Samitit të Bukureshtit, ku pritet vendimi për anëtarësimin në NATO.

Kreu i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH-së), Menduh Thaçi, zhvilloi dje një takim me ambasadoren e SHBA-së në Republikën e Maqedonisë, Xhilijan Millovanoviç. Mësohet se në takim është biseduar lidhur me qëndrimet e fundit të PDSH-së për largimin nga qeveria nëse nuk plotësohen 6 kërkesat, të cilat kanë të bëjnë me realizimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni. Pas takimit me ambasadoren Millovanoviç, lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi, deklaroi se koalicioni ka marrë fund. "Sipas propozimit që unë do t‘ua jap organeve të partisë, kjo punë ka marrë fund që sonte (dje). Janë në pyetje çështje orësh. Unë kam shumë takime të njëpasnjëshme dhe shtyhet koha vetëm për shkak të këtyre takimeve. Kam bindjen e plotë se organet e partisë do ta mbështesin këtë qëndrim", deklaroi lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi. Pas bisedimeve me ambasadoren amerikane, kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, ka realizuar edhe një takim me ambasadorin e BE-së në Maqedoni, Ervan Fuere. PDSH-ja kushtëzon Kryeministrin Nikolla Gruevski për plotësimin e gjashtë kërkesave: ligjin për UÇK-në, zyrtarizimin e gjuhës shqipe, njohjen e shpejtë të Kosovës, rritjen e përfaqësimit të shqiptarëve në administratën shtetërore, përdorimin e flamurit kombëtar shqiptar në takimet lokale dhe mbylljen e katër rasteve të Tribunalit të Hagës, që muajin e kaluar janë kthyer në Maqedoni. Ndërkaq, zëdhënësi i qeverisë së Maqedonisë, Ivica Bocevski, edhe njëherë theksoi se nuk do t‘i komentojë paralajmërimet se PDSH-ja do ta braktisë qeverinë. Bocevski tha se do të fokusohemi në realizimin e programit qeveritar. "Qeveria funksionon normalisht dhe me rregull në kapacitet të plotë. Dje kishim mbledhje qeveritare, ku të gjitha pikat u shqyrtuan dhe është konstatuar se realizimi i programit është duke u zhvilluar në pajtim me dinamikën dhe afatet e parapara", tha Bocevski. Kreu i qeverisë së Maqedonisë, Nikolla Gruevski, akoma nuk është prononcuar në lidhje me këtë çështje, e cila rrezikon prishjen e koalicionit qeveritar dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme. Ndërkaq, edhe kreu i partisë më të madhe të shqiptarëve në Maqedoni, Bashkimi Demokratik për Integrim në opozitë, Ali Ahmeti, deklaroi se

nuk dëshiron të jetë pjesë e kësaj qeverie, edhe nëse PDSH-ja definitivisht largohet nga koalicioni. Ahmeti theksoi se BDI-ja është për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme para Samitit të NATO-s në Bukuresht. Lidhur me paralajmërimet e liderit të PDSH-së për largim nga qeveria, Ahmeti tha se Thaçi nuk kishte zgjidhje tjetër.

Parashikimi

Vendimi i PDSH-së për të braktisur koalicionin do të sjellë rënien e qeverisë së Kryeministrit Gruevski, ndërsa nuk përjashtohen edhe zgjedhjet e parakohshme. Paraprakisht dorëheqje dhanë ministrja e Ekonomisë, Vera Rafajllovska nga PRSD-ja, dhe ministri i Vetadministratës Lokale, Abdurrahman Memeti nga PPD-ja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›