UNMIK, kërkesë Beogradit: Ndalo pushtetin paralel
UNMIK nuk është dakord me deklaratën e djeshme të ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Jeremiç, në Këshillin e Sigurimit, kur tha se Rezoluta 1244 duhet të respektohet plotësisht, por njëherësh kërkon nga Serbia respektimin e kësaj deklarate dhe të respektojë zonën e ndarë doganore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tha sot zëdhënësi i UNMIK-ut, Aleksandër Ivanko, në takimin e rregullt me gazetarët. Gjithashtu, ai pohoi se gjykatat dhe doganat në pjesën veriore ende nuk janë duke punuar, porse UNMIK-u është duke u angazhuar që brenda një afati të shkurtër ato t‘i kthehen normalitetit. Me rastin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në Serbi, zëdhënësi Aleksandër Ivanko, tha se UNMIK-u është autoriteti i vetëm që vendos për zgjedhjet në Kosovë. Ivanko tha se "zgjedhjet nuk janë shpallur" në territorin e Kosovës. "Ne do të bashkëpunojmë ngushtë me partnerët tanë, me Grupin e Kontaktit dhe me shtabin në Nju-Jork lidhur me këtë çështje", tha Ivanko. Ai gjithashtu tha se UNMIK-u pret që Serbia të ndërpresë çdo mbështetje për strukturat paralele dhe që pjesëtarët serbë të kthehen në SHPK. Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, Piter Fejt, ka deklaruar se si përfaqësuesi civil ndërkombëtar në Kosovë do të jetë derisa të mos implementohet plotësisht plani për statusin e Kosovës (i Marti Ahtisarit), ndërsa Bashkimi Evropian do të mbesë në Kosovë gjithnjë derisa Kosova të mos hyjë në BE. Piter Fejt i deklaroi shtypit të Beogradit se mandati i tij i përfaqësuesit ndërkombëtar nënkupton "fuqinë ekzekutive për zbatimin e planit për statusin e Kosovës (të Ahtisarit)" dhe që përfshin edhe "fuqinë e miratimit të veprimeve korrektuese në rastet ekstreme". Por, ai thotë se ky nuk është prioritet, sepse për të është shumë më me rëndësi që të punojë bashkë me qeverinë e Kosovës. "Kompetencat e mia janë në kuti, kutia është në kasafortë me një dry të fortë. Çelësi për bravën do të përdoret vetëm po qe se dështojnë të gjitha alternativat", u shpreh figurativisht Fejt. Duke komentuar kërkesën e Rusisë, që UNMIK-u të mbetet në veri të Kosovës, Fejt tha se ai synon që EULEX-in ta vendosë në tërë territorin e vendit. "Kosova duhet të shmangë situatën që UNMIK-u të jetë serb, kurse EULEX-i shqiptar", tha Fejt, duke shtuar se kjo do të ishte hyrje në ndarjen e Kosovës, ose do të jepte idenë për ndarjen. Ndërkaq, në lidhje me pezullimin e policëve serbë nga SHPK-ja, Fejt tha se dyert për ata janë të hapura, por theksoi se "ata po marrin rroga më të mëdha nga Beogradi sesa nga SHPK-ja". "Nuk e di se çfarë mund të bëjmë, përveçse të garojmë me Beogradin dhe t‘u ofrojmë më shumë para, por kjo nuk do të ishte mënyrë racionale që të arrijmë deri te një zgjidhje", Fejt tha se politikisht është shumë me rëndësi që gjysma e anëtarëve të Kombeve të Bashkuara ta njohin Kosovën deri në Asamblenë Parlamentare të KB-së në shtator.