Inspektorati i Punës: Fabrika, pa kushte teknike
"Skela ku po punonin 6 punëtorët ishte jashtë kritereve teknike dhe shembja solli plagosjen e tyre", kjo ka qenë deklarata e shefit të Inspektoratit të Punës, Thoma Miço. Sipas tij, inspektorët e këtij sektori janë në vendin e ngjarjes, duke bërë të tjera verifikime. "Pas saktësimeve për shkakun e shembjes do të merren masa, megjithatë dua të theksoj se firma ishte e licencuar dhe me përvojë", ka sqaruar Miço. Kreu i Inspektoratit të Punës ka qenë dje në Spitalin Ushtarak, ku, veç të tjerash, ka deklaruar se kontrollet e inspektoratit do të jenë të vazhdueshme, për parandalimin e fatkeqësive apo aksidenteve në punë.
"Jemi duke punuar për të krijuar një ide më të qartë të shkaqeve që çuan në aksidentin e sotëm në Fabrikën e Çimentos në Fushë- Krujë, ku u rrezikuan disa punonjës", tha Miço. Sipas tij, ka pasur disa kontrolle në këtë fabrikë, të cilat do të vazhdojnë më tej edhe nga organet e specializuara. "E gjithë kjo do të na bëjë të krijojmë një ide më të qartë rreth shkaqeve që çuan në rrëzimin e skelës dhe rrezikimin e jetës së punëtorëve. Brenda 7 viteve të aktivitetit të saj, fabrika e çimentos është inspektuar 7 herë dhe kompanisë i janë lënë detyra për të përmirësuar kushtet e punës", përfundoi shefi i Inspektoratit të Punës. Ndërkaq, Ministria e Punës i ka dorëzuar zyrtarisht Prokurorisë së Përgjithshme një kërkesë zyrtare për pjesëmarrjen e inspektorëve të punës në grupet hetimore të ngritura pas aksidenteve në punë.