Gruevski optimist
Kryeministri i Maqedonisë dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikola Gruevski, pretendon se sërish do të fitojë në zgjedhjet e parakohshme të 5 qershorit.
Ai këtë nuk e ka fshehur në një takim të koalicionit rreth partisë së tij, ku bëjnë pjesë 24 parti politike, duke përfshirë ato të komunitetit turk, rom, serb, boshnjak dhe parti tjera më të vogla maqedonase.
“Ky është një front masiv, i cili jo vetëm se duhet të sjellë fitoren e ardhshme në zgjedhje, por edhe të marrë përgjegjësinë gjatë katër viteve të ardhshme dhe të bëjë përparime në Maqedoni, në çdo fushë”, theksoi Gruevski, me rastin e nënshkrimit të një platforme të përbashkët me partitë e koalicionit, duke theksuar se bëhet fjalë për një nga koalicionet më masive deri tani në historinë e këtij vendi.
Ai shtoi se në listat e deputetëve të koalicionit është përfshirë edhe frymë e re kadrovike dhe me potencial të lartë.
Gruevski do të jetë bartës liste në njësinë e parë zgjedhje, duke qenë përballë kundër-kandidates së opozitës, Radmila Shecerinska, nga LSDM. VMRO-DPMNE edhe në këto zgjedhje del me platformën politike “Rilindja 100 hapa”, por e zgjeruar dhe e plotësuar me projekte të tjera.
Në anën tjetër, nga partitë shqiptare më së shumti favorizohet BDI-ja, e kryesuar nga Ali Ahmeti.