Gruevski vendos sonte për krizën qeveritare
SHKUP- Partia maqedonase në pushtet VMRO-DPMNE e kryeministrit Nikolla Gruevski sonte vendos për krizën aktuale qeveritare.
Komiteti Qendror i kësaj partie sonte do të mbajë një mbledhje të jashtëzakonshme në Smilevë, ku do të jetë temë qendrore kriza aktuale brenda koalicionit qeveritar dhe bashkëpunimin me BDI.
Gruevski do të informojë kreun partiak lidhur me takimin e fundit me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti dhe për çështjet që kanë të bëjnë me mundësinë e prishjes së koalicionit dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Tensionet midis partive të koalicionit pasuan pas homazheve të ministrit të mbrojtjes Fatmir Besimi në varrezat e UÇK-së në Sllupçan me praninë edhe të pjesëtarëve të ARM-së, ndërsa ky veprim pasoi me kundërpërgjigjen e VMRO-DPMNE, e cila vendosi në rend dite projekt ligjin për zgjidhjen e statusit të ish-pjesëtarëve të forcave maqedonase të sigurisë. (INA)