Topalli në Vjenë, pritet nga Presidenti i Austrisë Fisher
Në ditën e dytë të qendrimit të saj në Vjenë, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe kryeparlamentaret e tjera të Europës, u pritën në Bashkinë e Vjenës dhe nga Presidenti i Austrisë, Heinz Fisher. Presidenti Fisher rezervoi një pritje në Pallatin Presidencial për nder të Kryetareve të Parlamentaeve të Europës, që për dy ditë me radhë po marrin pjesë në takimin e VI të këtij formati, që organizohet nën kujdesin e Kryetares së Parlamentit të Austrisë, Barbara Prammer.
Gjatë pritjes, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, njohu Presidentin Fisher mbi zhvillimet e fundit në Shqipëri. Në kohë sfidash globale, tha Topalli, Shqipëria vazhdon të njohë rritje ekonomike pozitive. Sipas saj, të dhënat tregojnë se në Shqipëri nuk ka rritje papunësisë, në ndryshim nga sa ndodh në shumë vende të tjera.
“Shqiptarët, shikojnë me optimizëm të ardhmen. Në një kohë kur në shumicën e vendeve të Europës ka shkurtime të rrogave dhe pensioneve në vendin tim ne vazhdojmë t`i rrisim ato” tha Kryetarja e Kuvendit.
Presidenti Fisher, si një nga personalitetet që ka vizituar Shqipërinë, që në momentet e para të demokracisë në Shqipëri, në postin e Kryetarit të Parlamentit Austriak, i bëri të ditur Kryetares Jozefina Topalli se ndjek me vëmendje zhvillimet në Shqipëri, si dhe vuri në dukje progresin pozitiv të vendit tonë.
Si një nga modelet më të mira të njohura për aplikimin e buxhetimit gjinor, Bashkia e Vjenës mikpriti sesionin e tretë të takimit të kryeparlamentareve të Europës, kushtuar kësaj teme.
Duke marrë fjalën gjatë diskutimeve të këtij sesioni, Kryetarja Jozefina Topalli tha se në Shqipëri, gratë janë të mirëshkolluara dhe me një ambicie të vlerësueshme për të kontribuuar në çdo fushë. Kryetarja e Kuvendit tha se në këtë përvjetor jubile të 100-vjetorit të pavarësisë, gruaja duhet të jetë kryeaxhenda e të gjithëve.
Kryeparlamentarja Jozefina Topalli vlerësoi modelin e Bashkisë së Vjenës për lidershipin e saj në buxhetin për gratë.
“Nuk e di sa e matshme është puna që gratë bëjnë në shtëpi duke i shërbyer fëmijëve dhe familjes në tërësi. Por, unë besoj se kjo është një pjesë e rëndësishme, që një ditë do matet e do vlerësohet” vlerësoi Kryetarja e Kuvendit.
Sipas saj, të investosh tek gruaja është çështje e së drejtës, por edhe mençuri. Kryetarja e Kuvendit tha se investimet që janë bërë në Shqipëri, në infrastrukturë, në shkolla, në pajisjen e spitaleve me teknologjinë e fundit, rritja e rrogave për mësueset, infermieret, është një realitet. Kjo, tha Kryetarja e Kuvendit, i bën gratë të ndihen më të pavarura, me më shumë dinjitet.