E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grumbullimi, Kuzhe kërkon lojtarë në Zvicër

TIRANE-Trajneri i kombëtares shqiptare Josip Kuzhe do të zhvillojë një grumbullim në Zvicër në datat 13 dhe 14 janar. Në fokus të tij do të jenë futbollistët e shumtë shqiptarë që luajnë në kampionatatin e këtij vendi, madje një pjesë e madhe me skuadra tepër të njohura. Kuzhe do të vëzhgojë jo vetëm futbollistë me pasaportë shqiptare, por edhe kosovarët që kanë dëshirë për të veshur fanelën kuqezi në të ardhmen. Drejt tokës helvetike do të udhëtojë një staf prej 7 vetash i Federatës, ndërkohë që pritet të jenë një numër i madh futbollistësh që do të shkojnë për t'u parë nga tekniku kuqezi. Problem deri më tani kanë qenë klube si Bazeli, të cilët nuk kanë qenë dakord për të lënë futbollistët e tyre të lirë, duke qenë se ky grumbullim nuk zhvillohet në një datë zyrtare të FIFA-s për ekipet kombëtare. Në Zvicër ndodhet një numër i madh lojtarësh shqiptarë, kryesisht me origjinë nga Kosova. Emra si Xherdan Shaqiri i Bazelit, duken të paarritshëm për momentin nga Shqipëria, duke qenë se ai kërkohet nga disa prej klubeve më të njohura të Evropës. Gjithsesi, Josip Kuzhe synon që të gjejë të paktën 2 apo 3 lojtarë, që t'i shërbejnë në të ardhmen.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›