Grumbullimi, Kuzhe lë pa pushime kuqezinjtë
Nga ndeshjet me skuadrat e tyre direkt e në grumbullimin me ekipin kombëtar. Kjo është strategjia le të themi që trajneri kroat i përfaqësues sonë, Josip Kuzhe ka menduar të ndjekë me futbollistët e tij për ndeshjen me Andorën më 2 qershor. Menjëherë sapo të mbyllen një pjesë e mirë e kampionateve evropiane në mesin e muajit maj, Kuzhe ka vendosur të bëjë grumbullimin e Kombëtares. Sipas informacioneve kroati ka vendosur të thërrasë kuqezinjtë që prej datës 17 maj, takimin ndaj Andorës. Pra, skuadra do të jetë e grumbulluar për më shumë se dy javë para se të luajë një ndeshje miqësore ndaj një ekipi më shumë se modest. Një gjë e tillë do të thotë se lojtarët që do të grumbullohen në Kombëtare, me gjasa nuk do të kenë mundësi të bëjnë pushim në sensin e plotë të fjalës për këtë vit. Direk pas kësaj ndeshje lojtarët, të paktën ata të kampionatit shqiptar do të grumbullohen me ekipet e tyre për nisjen e fazës përgatitore për ndeshjet e Kupave të Evropës, ndaj nuk do kenë kohë për pushime. Lista e Kombëtares për këtë takim pritet të dalë në javën e dytë të muajit maj.