“Çani gol”, Piaçenca merr pikë në Mantova
Leonard Karaj
çani ka shënuar për Piaçencën ndërsa vetëm Dallku dhe Januzi kanë luajtur si titullarë në kampionatet e tjera, porsa u përket legjionarëve. Edgar çani shënoi golin e barazimit në transfertën e vështirë ndaj Mantovas, ditën e djeshme duke e ngjitur në vendin e 11-të skuadrën e tij. Pas penalltisë së shënuar nga Gaetano Karidi, në minutën e 64-t për mantovanët, ishte gjigandi i sulmit piaçentin, Edgar çani ai që i dha një pikë emilianëve në minutën e 86-të të takimit. Ky ishte goli i katërt i sulmuesit shqiptar që prej janarit të këtij viti kur erdhi në formë huazimi tek Piaçenca. Në pjesën e parë të sezonit ai luajti për Padovën, ndërkohë që kartoni i tij është në pronësi të skuadrës së Palermos, e cila më shumë gjasa do ta rikthejë në organikën e vet për sezonin 2010-2011. Kjo edhe për faktin se gjatë kësaj vere me shumë gjasa nga ekipi do të largohet një nga sulmuesit kryesorë të Palermos, uruguaiani, Edison Kavani. Ky i fundit do të krijojë edhe hapësirat që çani të mos jepet më në huazim sikundër ka ndodhur në dy sezonet e fundit. Vitin e kaluar 19-vjeçari shqiptar luajti për Askolin.
Lorik Cana - Lojtari kosovar i Kombëtares shqiptare nuk ishte as në stol për ndeshjen e radhës në kampionatin anglez me Sanderlendin. Skuadra e tij humbi në fushën e Uest Ham (1-0), gol i Ilan, në minutën e 51-të të pjesës së dytë. Cana vuan nga një dëmtim muskulor dhe nuk është stërvitur fare me ekipin gjatë kësaj jave.
Jahmir Hyka - Nuk ka luajtur për asnjë minutë mesfushori shqiptar në fitoren që skuadra e tij FSV Mainz 05 arriti ditën e djeshme ndaj Borusia Dortmund (1-0) në fushën e vet. Goli u shënua nga hungarezi, Adam Szalai në minutën e 30-të të takimit. Hyka ishte në 18-en e Maniz por nuk u aktivizua për asnjë sekondë nga trajneri i tij.
Altin Lala - Nuk ka luajtur, madje nuk ka qenë as në pankinë edhe Altin Lala në fitoren që skuadra e tij Hanover arriti në fushën e vet ndaj Schalke 04 (4-2). Golat u shënuan nga Didier Ya Konan (29', 90’), Hano Balitsch (80') dhe Heiko Vesterman (og, 17') për Hanover ndërsa barazuan përkohësisht Edu (46’) dhe Ivan Rakitic (p, 52’), për skuadrën e Shalkes.
3-ja e Krivbas - Nuk ka luajtur asnjëri prej tre lojtarëve shqiptarë që janë pjesë e organikës së skuadrës së Krivbasit në barazimin e djeshëm të kësaj të fundit në fushën e vet (2-2) ndaj Metalist Kharkiv, në kampionatin ukrainas. Me shumë gjasa Hidi, Agolli dhe Bylykbashi (Bulku ka prishur kontratën) do të largohen nga ekipi në fund të sezonit ndaj edhe trajneri nuk i llogarit më si të tillë.
Armend Dallku - Vorska Poltava ka barazur pa gola në fushën e Chernomorets Odessa, teksa në fushë kanë zbritur vetëm Armend Dallku dhe Ahmet Januzi, kurse mungonte Debatik Curri nga tre shqiptarët e kësaj skuadre. Ky i fundit ka pësuar një dëmtim të lehtë ndaj nuk ka qenë as në pankinë për Poltavën. Dallku luajti për 90-të minuta ndërsa Januzi u zëvendësua në minutën e 61-të nga çiçikov.