E Diel, 1 Nëntor 2026

Grumbullimi i U-21, me shumë fytyra të reja, në Kompleksin e Ekipeve Kombëtare në Kamëz

Autori i Lajmit: red.
Njëzet e dy futbollistë të moshës deri në 21 vjeç e që luajnë në kampionatet e huaja janë duke u testuar nga trajneri i Shpresave të Shqipërisë, Artan Bushati, në Kompleksin e Ekipeve Kombëtare në Kamëz. Kandidatët për një vend në formacionin e dytë kuqezi kanë ardhur nga kampionate të ndryshme evropiane si ato gjermane, greke, franceze, suedeze, madje dhe amerikane. Trajneri Artan Bushati dha një opinion paraprak në lidhje me ditën e parë të stërvitjes. “Është një grumbullim me lojtarët që luajnë jashtë Shqipërisë. Është një testim që ka si synim njohjen e vlerave të tyre. Ka një grup lojtarësh që janë interesantë. Shpresoj se pas stërvitjes së fundit do të japim edhe një opinion përfundimtar në lidhje me të ardhmen e tyre me përfaqësuesen U-21”. Sulmuesi 18-vjeçar Shqipon Bektashi është një nga ata që po lë një përshtypje të mirë në grumbullim. Sulmuesi kosovar nga Presheva luan për Frajburgun në Bundesligën 2, një ish-skuadër e Altin Rrakllit, golashënuesit të dytë më të mirë shqiptar në Gjermani, por dhe me fanellën e Kombëtares shqiptare. Bektashi, i cili ka nënshkruar një kontratë profesioniste me Frajburgun deri në vitin 2011, dallohet për lojën e tij me të dyja këmbët, cilësi që i paraqiti edhe në ditën e parë të stërvitjes në Kamëz. “Telefonova në Federatë (Federatën Shqiptare të Futbollit) dhe ata më thirrën në grumbullim. Ndihem shumë mirë. Zemra ime është shqiptare dhe dua të luaj për Kombëtaren shqiptare”, - tha Bektashi, i cili me Frajburgun U-19 shënoi 14 gola në kampionatin dhe Kupën e Gjermanisë për U-19. Shqipon Bektashi është ndjekur për disa kohë nga ekipet më të mëdha në Evropë, përfshirë edhe Çelsin e Mançester Junaitid. Një tjetër lojtar interesant është dhe mbrojtësi Serafin Ziu, i cili luan në Greqi me Asteria Tripolis. Futbollisti prej 16 vjetësh jeton në shtetin helen, por kurrsesi nuk mendon të luajë me përfaqësuesen greke. “Edhe sikur pasaportë greke të marr, prapë se prapë me Shqipërinë do të luaj”, - u shpreh lojtari i zbuluar nga shefi i zyrës së talenteve në Greqi, Petro Ruci. Ziu ka si idhull në Kombëtaren shqiptare, Lorik Canën. “Është një lojtar i madh, një ditë mund të vesh fanellën e Kombëtares dhe ëndërroj të bëhem si Cana”. Ilised Adili luan në Gjermani për Arminia Hanover, por ndodhet në fokusin e Alemania Ahen. Futbollisti me origjinë nga Vlora nuk e fsheh gëzimin që është pranuar në testimet me Kombëtaren U-21. “Është një gjë shumë e mirë, pasi për ne që jetojmë jashtë kjo është një mundësi e madhe për të treguar veten. Dëshiroj shumë të jem një ditë pjesë e Kombëtares e të kem emrin tim të shkruar në bluzën kuqezi”. Mbrojtësi Adili është i datëlindjes 1988 dhe në sezonet 1999-2003 ka qenë pjesë e Dinamos (moshat), ndërsa më pas në vitet 2003-2007 mbaroi shkollën sportive "Loro Boriçi” ku ka luajtur për ekipin “Shkëndija . Nga viti 2008 është pjesë e Arminia Hanover.
Ky lajm është publikuar: 06/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›