Kapen me 42 kg marijuanë, arrestohet katër të rinj
Operacioni “Skai”/ Destinacioni i drogës, shteti fqinj i Greqisë
Policia: Katër të arrestuarit akuzohen për trafik narkotikësh
Bllokohet një sasi e konsiderueshme droge, e dyshuar e llojit marijuanë, arrestohen katër persona, të dyshuar se ishin transportuesit e saj. Policia e Gjirokastrës sekuestroi përgjatë operacionit të koduar “Skai” katër të rinj nga Tirana, të cilëve iu është gjetur në makinë 42 kg drogë e llojit marijuanë. Droga ka qenë e fshehur në makinat e drejtuara nga të rinjtë Oljon Muçollari e Jetmir Madani, ndërkohë që dyshohet se destinacioni i fundit ishte shteti fqinj i Greqisë. Nëpërmjet një komunikate për shtyp, policia e Gjirokastrës bëri të ditur se operacioni i koduar “Skai” vuri në pranga 4 të rinj dhe sekuestroi 42 kilogramë marijuanë. Aksioni është zhvilluar në orët e mbrëmjes së dy netëve më parë nga specialistët dhe agjentët e sektorit kundër drogës. Në bazën e informacioneve të marra në rrugë operative për transportimin e një sasie lënde narkotike në drejtin të kufirit të gjelbër midis Tre Urave dhe Leskovikut, u organizuan shërbimet nga efektivat e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, në aksin rrugor Përmet-Leskovik. Rreth orës 23:50 të dy netëve më parë, operacioni u përfundua me sukses, ku në aksin rrugor Përmet-Leskovik u bë i mundur arrestimi në flagrancë i 4 personave, Leonard Luzi, Oljon Muçollari, Jetimir e Shkëlzen Madani, si dhe sekuestrimi i sasisë së lëndës narkotike. Sipas burimeve zyrtare policore, këta persona udhëtonin me dy mjete dhe konkretisht, me mjetin tip “Opel” me targa të huaja BS 055 JE, që drejtohej nga Jetmir Madani, dhe me mjetin tip “Benz” me targa TR 6928 J që drejtohej nga Olion Muçollari. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “Opel” u konstatuan 3 çanta shpine të mbushura me pako në formë cilindrike të mbështjella me letër nartriban, ku brenda tyre kishte lëndë narkotike të dyshuar si marijuanë. Këta persona do të bënin transportin e kësaj lënde narkotike deri në tokën greke. Sasia e lëndës së sekuestruar rezultoi të ishte 42 kilogramë. Nga ana e policisë u bë sekuestrimi i lëndës narkotike dhe i automjeteve në cilësinë e provës materiale. Materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprën penale të “trafikimit të lëndëve narkotike”.
U arrestuan
Leonard Luzi, 26 vjeç, banues në Kashar, Tiranë
Oljon Muçollari, 37 vjeç, banues në Tiranë
Jetmir Madani, 25 vjeç, banues në Kamëz, Tiranë
Shkëlzen Madani, 20 vjeç, banues në Kamëz Tiranë
U sekuestruan
* Mjeti tip “Opel” me targa të huaja BS 055 JE, që drejtohej nga Jetmir Madani
* Mjeti tip “Benz” me targa TR 6928 J që drejtohej nga Oljon Muçollari
* 3 çanta shpine me 42 kg lëndë narkotike e llojit marijuanë