Ndërhyrja e ministrisë zhbllokon gjyqin e Gjokeajve
Mbrojtja kërkon pafajësi për vëllezërit Gjokea. Të tre vëllezërit janë në rigjykim për vrasje të dyfishtë me paramendim, në bashkëpunim, e mbetur në tentativë, si dhe armëmbajtje pa leje. Informimi i ministrit të Drejtësisë nga Gjykata e Durrësit mbi veprimtarinë e avokatëve mbrojtës të vëllezërve, duke cenuar zhvillimin normal të procesit dhe reagimi, ka siguruar vazhdimin e gjyqit në prani të të pandehurve dhe mbrojtjes së tyre. Mbrojtja kërkoi të njihet me këtë shkresë, si dhe me vendimin e gjykatës për mospërjashtimin e trupit gjykues gjatë seancës së kaluar. Gjatë një seance të gjatë gjyqësore, dje fjalën e ka pasur mbrojtja, e cila ka kërkuar pafajësinë ndaj vëllezërve, duke i vlerësuar fajtorë pa prova. Në një mbrojtje të gjatë prej 25 faqesh, dy avokatët e Kastriot Gjokesë thanë se procedimi penal ndaj klientit të tyre është i paligjshëm dhe kërkuan dhënien e pafajësisë, duke theksuar shumë herë në materialin e tyre se konflikti mes Gjokeajve nuk mund të shërbejë si provë për të akuzuar Kastriotin dhe as dëshmia e të dëmtuarit Simon Gjokea që mbeti i plagosur në pritën e organizuar më 18 maj të vitit 2005. Mbrojtja pretendoi se trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Shpëtime Pitaku e ka paragjykuar çështjen dhe kjo do të ndikojë në vendim. Avokatët e Kastriot Gjokesë, në fjalën e tyre madje tentuan të ironizojnë prokurorin e çështjes, i cili, sipas tyre, nuk ka të qartë konceptin e bashkekzekutorit dhe bashkëpunëtorit në krim. Në të njëjtën linjë ka qenë dhe mbrojtja e Arben dhe David Gjokesë.