E Diel, 1 Nëntor 2026

Grupe shtesë për inspektimet e bizneseve në korrik

04/04/2011  Kontrollet

Garantimi i zbatimit të rregullave të detyrueshme në veprimtarinë e përditshme të bizneseve dhe individëve është një nga detyrimet kryesore të vendit. Këto rregulla kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare, të rendit publik, të jetës, shëndetit, mjedisit, pasurisë kombëtare, konkurrencën e ndershme, disiplinën fiskale etj. Për këtë qëllim qeveria ka hartuar një projektligj për ngritjen dhe funksionimin e trupave inspektuese, të konceptuara si forma organizimi të ekzekutivit qendror e vendor. Këto trupa inspektuese do të monitorojnë, inspektojnë dhe sipas rastit do ndëshkojnë rastet e mosrespektimit të rregullave të detyrueshme nga bizneset apo individët. Sistemi i ri i inspektimeve është menduar të jetë gati për të filluar të funksionojë plotësisht, sipas ligjit kuadër, në korrik të këtij viti. Fusha e inspektimit është parashikuar të jetë shumë e gjerë dhe me ndikim të madh në veprimtarinë e përditshme të subjekteve. Inspektori ka të drejtë të hyjë dhe të inspektojë godinat, mjediset, objektet, mjetet e transportit nëpërmjet të cilave ushtron veprimtarinë subjekti i inspektimit, si dhe të inspektojë instalimet, pajisjet, makineritë, produktet, sendet, substancat, përbërësit dhe çdo send tjetër të lidhur me veprimtarinë që është objekt inspektimi.

Mospërfshirja

Inspektimet e institucioneve të pavarura, si entet rregullatore (telekomunikacion, energji, konkurrenca, etj), apo në fushën bankare e financiare janë lënë jashtë për shkak të veçorive specifike të tyre dhe reformave që janë kryer apo po kryhen në sektorët përkatës. Për të njëjtën arsye janë lënë jashtë inspektimet e lidhura me sistemin fiskal/doganor dhe atë të pastrimit të parave. Ndërkaq, për shkak të natyrës së brendshme të tyre janë lënë jashtë edhe inspektimet financiare, administrative dhe të auditivit.

Të drejtat e inspektorit

Inspektori ka të drejtë marrjen pa pagesë të mostrave të produkteve, materialeve, mallrave, apo prodhimeve dhe t’ia nënshtrojë ato ekzaminimit apo analizave.

Inspektori ka të drejtë të kryejë fotografime, filmime apo regjistrime me mënyra apo mjete të tjera teknike të mjediseve, instalimeve apo çdo sendi tjetër që ka lidhje me veprimtarinë e subjektit të inspektimit.

Inspektori ka të drejtë të inspektojë çdo dokument apo regjistrim të nevojshëm për verifikimin e respektimit të kërkesave ligjore, përfshirë këtu edhe ato të ruajtura, të krijuara apo mbajtura në format elektronik apo çdo formë tjetër.

Ka të drejtë të bëjë matjet e nevojshme për të verifikuar respektimin e kërkesave ligjore nga subjekti i inspektimit.

Ka të drejtë të kryejë verifikime të dokumenteve për identitetin e personave, kur kjo është e nevojshme, sipas objektit të inspektimit.

Inspektori ka të drejtë që me vendim të ndërmjetëm të marrë masa urgjente për shkak të shkeljes së konstatuar të kërkesave ligjore, kur mund të shkaktohet një dëm i menjëhershëm, i rëndë dhe i pariparueshëm i interesit publik apo i palëve të treta, ose kur ka një dyshim të arsyeshëm dhe është e nevojshme kryerja e verifikimeve të mëtejshme dokumentare apo kryerja e ekzaminimeve a analizave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›