E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jahjaga dënon sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it

PRISHTINË- Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, dënoi sulmin që ndërmorën mbrëmë një grup i qytetarëve, të nxitur dhe të mbështetur nga strukturat kriminale, mbi pjesëtarët e KFOR-it në fshatin Rudar të komunës së Zveçanit.

Presidentja e Republikës së Kosovës konsideron se akte të tilla të dhunës janë të patolerueshme dhe nuk i kontribuojnë paqes dhe stabilitetit.

Ajo thekson se këto akte do të marrin përgjigje ligjore sepse askush nuk mund të bllokojë dhe të pengojë lëvizjen e lirë të qytetarëve, një vlerë kjo e demokracisë.
"Sulmi ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, që kanë ardhur me mision paqësor në Republikën e Kosovës, është një akt i shëmtuar që gjykohet nga të gjithë qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës", shprehet ajo.

Presidentja Jahjaga, pati sot një bisedë telefonike me komandantin e KFOR-it në Kosovë, gjeneralin Erhard Drews, të cilit i shprehu shqetësimin e saj për incidentin e ndodhur mbrëmë dhe për sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it, me ç’rast u lënduan 21 pjesëtarë të forcës paqeruajtëse në Kosovë.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›