E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetët që votojnë për kolegun në miratimin e ligjeve

 

Aristir Lumezi

Raporti i monitorimit vjetor nga "Mjaft" prezanton shkelje të rregullores së Kuvendit gjatë votimit. Duke e paraqitur në një nën-ndarje të rëndësishme, ekipi i monitoruesve të seancave të Kuvendit nga "Mjaft", kanë nxjerrë rastet konkrete kur deputetët e Kuvendit kanë votuar për kolegët e tyre, të cilët nuk ishin prezentë në seancë. Nuk janë të paktë ata deputetë të të gjitha ngjyrave që kanë shkelur me vetëdije këtë nen të rregullores së Kuvendit. Sipas raportit, seancat plenare të Kuvendit të Shqipërisë, gjatë sesionit të gjashtë dhe të shtatë të legjislaturës së XVII-të, janë karakterizuar nga shkelje të rënda të Rregullores së Kuvendit. Raporti shprehet se një nga shkeljet më të përsëritura gjatë zhvillimit të punimeve të seancave plenare është votimi i nismave ligjore për kolegun. "Po t'i referohemi nenit 57 mbi votimin në seancat parlamentare, pikës 1 dhe 2, aty përcaktohet tekstualisht: 'Votimi është vetjak. E drejta e votës nuk delegohet'. Sipas rregullores, të gjitha nismat ligjore të votuara përmes kësaj procedure, bien ndesh me nenin e sipërpërmendur të Rregullores së Kuvendit", thuhet në raportin e Projektit 'Unë Votoj'. Nuk është i vogël numri i ligjeve të kaluar në këtë mënyrë, kur, me ndihmën e kolegëve, kanë votuar edhe deputetë që nuk kanë qenë prezentë në sallë. 'Mjaft' propozon anulimin e këtyre votimeve ndërsa për deputetët që kanë shkelur rregulloren ndëshkim. "Gjatë sesionit të gjashtë dhe shtatë, kanë kaluar 16 nisma ligjore në kundërshtim me nenin 57, pikën 1 dhe 2 të Rregullores së Shqipërisë. Bëhet fjalë për nisma ligjore të kaluara në mënyrë të parregullt. Këto nisma nuk duhet të hyjnë në fuqi, por të rikthehen përsëri për votim në parlament. Ndaj deputetëve që kanë kryer shkelje duhet të ndërmerren masa disiplinore të parashikuara përsëri në Rregulloren e Kuvendit", thuhet në raportin e "Mjaft".   
Një tjetër shkelje që skuadra e raportimit të "Mjaft" ka vërejtur gjatë punimeve të seancave ka qenë edhe ndërprerja e fjalës së deputetëve në foltore. Nga shkeljet më të shpeshta që rezulton nga zhvillimi i seancave parlamentare prek nenin 62, të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, me titull "Rregulli dhe Sjellja në Kuvend dhe përmbajtje". Sipas këtij neni të rregullores, "Anëtarët e Kuvendit nuk duhet të ndërpresin fjalën e drejtuesit të seancës plenare ose të diskutuesve të tjerë, të përdorin gjuhë ofenduese dhe joparlamentare në Kuvend, të ndërmarrin sulme personale apo veprime ndaj ndonjë deputeti, të përhapin informacione që cenojnë jetën private të cilitdo, të sillen në mënyrë të padenjë ose të shkaktojnë rrëmujë në mjediset e Kuvendit", thuhet në raportin 'Unë votoj' të Mjaft. Në fakt raste të tilla nuk kanë qenë të pakta në Kuvendin e Shqipërisë që nga ndërprerjet e fjalës, tek ofendimet për familjarët e deputetëve, ofendime që kanë ardhur shpesh herë dhe nga anëtarë të kabinetit dhe drejtues të Kuvendit. 

Disa nga rastet kur është shkelur neni 57

Në seancën plenare të datës, 28.01.2008, deputeti, z. Blerim Çela, ka votuar për kolegun, projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.01.1995 "Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë" i ndryshuar".

Në seancën plenare të datës, 31.01.2008, deputeti, z. Andis Harasani, ka votuar për kolegun, projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë për disa çështje ekonomike dhe tatimore".

Në seancën plenare të datës, 04.02.2008, deputeti, z. Hajrrulla Paturri, ka votuar për kolegun, projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8906, datë 06.06.2002 "Për zonat e mbrojtura".

Në seancën plenare të datës 13.11.2008, deputeti, z. Flamur Hoxha ka votuar për kolegun, gjatë votimit për projektligjin "Për avokaturën e shtetit".

Në seancën plenare të datës 30.10.2008, deputetët, z. Stefan Cipa dhe z. Ndriçim Hysa kanë votuar për kolegun, gjatë votimit për projektligjin "Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Mbretërisë së Norvegjisë, për ripranimin e personave me qëndrim të paautorizuar".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›