Prençi: Tri zonat e nxehta të drogës
GJIROKASTER / PIRO NASE
Tre zona në Shqipëri mbeten vatrat e kultivimit të hashashit. Lazarati, ajo pranë rrje-dhës së Vjosës në Vlorë dhe Malësia e Mbishkodrës. Drejtori i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, pohoi nga Gjirokastra se nëse fushata për parandalimin e mbjelljes së lëndës narkotike do të dështojë, atëherë do të ndërhyhet me operacione konkrete. Gjatë takimit të djeshëm, me qëllim sensibilizimin e qytetarëve në luftën kundër kanabis sativës, Prençi përsëriti qëndrimet e mëparshme të zyrtarëve të policisë për eliminimin në maksimum të këtij fenomeni në të gjitha zonat, veçanërisht në fshatin rebel të Lazaratit. “Një prej pikave kyçe të strategjisë së policisë shqiptare për të luftuar kultivimin e lëndëve narkotike është fushata sensibilizuese që po realizohet me komunitetin në të gjithë vendin. Megjithatë, në rast se nëpërmjet kësaj metode nuk do të shihen rezultatet e dëshiruara, atëherë do të operohet me fazën operacionale, përmes së cilës do të ndëshkohen në bazë të ligjit të gjithë kultivuesit”, pohoi kryepolici. Sipas tij, vite më parë Shqipëria ka qenë e përfshirë nga kultivimi i lëndëve narkotike, ndërsa aktualisht vetëm në tre zona është përqendruar kultivimi i hashashit, ku përveç Lazaratit rezultojnë dhe territoret pranë rrjedhës së Vjosës në Vlorë dhe në Malësinë e mbi Shkodrës. “Në këto dy të fundit është punuar dhe janë arritur rezultate të kënaqshme, ndërkohë që për periudhën në vazhdim, do t’i kushtohet rëndësi fshatit Lazarat”, pohoi Prençi për gazetën “Panorama”. Në aktivitetin e djeshëm ishin të pranishëm dhe përfaqësues të komunave në jug të vendit, ku është folur për pasojat negative që sjell kultivimi dhe përdorimi i lëndëve narkotike. Ndërkohë, kryetari i komunës së Lazaratit, Dashnor Aliko, i ka kërkuar ndihmë institucioneve të specializuara që me ndihmën e shoqërisë civile dhe organizatave jofitimprurëse të fillojnë menjëherë fushatën për të informuar banorët e kësaj zone, për rreziqet që paraqet kultivimi i bimëve narkotike. “Është fakt i pamohueshëm që fshati Lazarat është prekur nga kultivimi i bimëve narkotike, por kjo nuk do të thotë se ne nuk jemi në gjendje ta luftojmë atë. Prandaj ndihma e institucioneve të specializuara dhe shoqërisë civile, do të ishte e vyer për të gjithë komunitetin”, u shpreh ai. Mbështetjen e tij për organizmat e shtetit në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike, e ka dhënë edhe drejtuesi i misionit të Pameca-s në vendin tonë, Michael Corbull. Prefekti i Gjirokastrës Spiro Ksera, kreu i Bashkisë Flamur Bime si dhe drejtuesit rajonalë të arsimit, kryetarë komunash si dhe përfaqësues të zyrës së OSBE-së konfirmuan angazhimin e tyre në mbështetje të strukturave të policisë për luftuar fenomenin e kultivimit dhe përdorimit të lëndëve narkotike.