E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Range Rover”, kapen për drogë 5 persona

 

BERAT – “Range Rover” çon në pranga pesë persona, të cilët ushtronin veprimtarinë kriminale të trafikut të drogës. Policia në bashkëpunim me prokurorinë e Beratit, pas një pune hetimore prej një muaji, veproi pasditen e së martës duke i arrestuar trafikantët në kushtet e flagrancës. Sipas policisë, të arrestuarit janë Ndriçim Kaçi, 37 vjeç nga Berati, babai i tij, Estref Kaci, 58 vjeç, Johan Çuko, 38 vjeç nga Fieri, Adrian Tabaku, 39 vjeç nga Kuçova, ish-polic i këtij komisariati dhe Elvis Aliaj, 26 vjeç nga Fieri. Gjithashtu në hetim është edhe vëllai i njërit prej të arrestuarve. Ai është Arben Kaci me detyrë polic i qarkullimit rrugor. Për momentin ai është pezulluar nga detyra, deri në përfundim të hetimeve, pasi dyshohet se është i implikuar me këtë rrjet të trafikut. Burime të policisë bënë të ditur se lënda narkotike kanabis sativa, e sekuestruar personave të arrestuar, peshonte rreth 44 kilogramë. Të njëjtat burime thanë se droga nga Berati çohej në Fier e më pas dyshohet se destinacioni përfundimtar të ishte Greqia. “Pas një pune hetimore 1 mujore është bërë e mundur arrestimi dhe kapja në flagrancë në momentin e shitjes e 44.850 gramë lëndë narkotike. Lëndën po e shisnin Ndriçim Kaci dhe Ardian Tabaku te dy fierakët, Johan Cuku dhe Elvis Aliaj. Blutë ndërhynë në momentin kur do të bëhej shkëmbimi i mallit. Kaci dhe Tabaku po lëviznin me një “Benz” me targa BR 2776 A në aksin Urë - Vajgurore – Berat. Ndërsa Johan Çuko bashkë me Aliaj po lëviznin në mjetin Range Rover me targë FR 0971 D me ngjyrë të zezë. Mësohet se Çuko gjatë ndjekjes i ka bërë rezistencë policisë. Por gjatë ndjekjes, makina e tij ka dalë nga rruga duke përfunduar në një kanal në fshatin Moravë. d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›