Grupet shqiptare, kontrollojnë drogën në Europën Juglindore
Raporti vjetor i Europol për krimin e organizuar, e radhit vendin tonë ndër më problematikët
TIRANË- Raporti i fundit vjetor i Europol (Policia Europiane) për krimin e organizuar, e rendit vendin tonë më shumë sesa problematik në trafikun e drogës. "Shpërndarja e drogës në Europën Juglindore duket të jetë në duart e grupeve etnike shqiptare",- thuhet në raport, ku shtohet se ky vend shërben si parambledhje dhe qendër e transportit për shpërndarjen e heroinës në BE.
Më tej raporti nënvizon se lidhjet mes Shqipërisë, Kosovës dhe Italisë mbeten ende shumë të fuqishme në trafikimin e qenieve njerëzore, heroinës, produkteve të kanabisit. Në raportin e vitit 2009 mbi krimin e organizuar, Shqipëria klasifikohet si vend burim i organizatave kriminale, i trafikut të drogës dhe femrave.
Për këto të fundit raporti cilëson se grupet kriminale shqiptare tentojnë të jenë të dhunshëm. Ndërkaq në pjesët ku përmendet Shqipëria, vendi ynë cilësohet ndër të parët vende të Europës Juglindore në lidhje me angazhimin e grupeve të trafikut të drogës e në mënyrë të veçantë atë të heroinës.
Lidhjet më të rëndësishme grupet shqiptare në raport cilësohet t'i kenë me organizatat kriminale turke, ato bullgare dhe ato italiane. Shqipëria cilësohet si vend tranzit i heroinës që niset nga Turqia vjen në Shqipëri nëpërmjet Maqedonisë dhe Bullgarisë dhe përfundon në BE, me portë hyrëse Italinë.
Ndërkaq, Shqipëria cilësohet një ndër dy portat e hyrjes së narkotikëve në BE, ndërsa porta tjetër cilësohet ajo nga Bullgaria, Serbia që përfundon më pas në Austri. Sakaq në raport vendi ynë cilësohet si vend i prodhimit të marijuanës e si vend origjine prej nga ajo mbërrin kryesisht në Europë.
Vendit tonë në këtë raport i bashkangjitet edhe Mali i Zi. Sa i përket grupeve kriminale shqiptare në to cilësohet se në një pjesë të mirë të rasteve ato duken se sfidojnë organizatat kriminale të vendeve të BE-së e veçanërisht ato italiane.